Lajme

Me forcim të ligjshmërisë, kundër ekonomisë informale

Numri i tatimpaguesve aktivë mendohet të jetë 45.000 dhe vetëm 20.333 janë fiskalizuar prandaj instalimi i pajisjeve fiskale ndihmon në shtimin e të hyrave buxhetore

Plotësimi i Legjislacionit tatimor në Kosovë dhe përforcimi i fiskalizimit të të gjithë operatorëve ekonomikë në Kosovë nga Administrata Tatimore, çojnë nga luftimi më eficient i ekonomisë informale në Kosovë. Këto rekomandime dolën nga tryeza e organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, me qëllim të diskutimit të përpjekjeve të institucioneve përgjegjëse për luftimin e ekonomisë joformale, si dhe strategjisë së qeverisë në lidhje me këtë dukuri.

Në tryezë, përveç anëtarëve të Odës Amerikane, morën pjesë edhe Drejtori i Përgjithshëm i Administratës Tatimore të Kosovës,  Behxhet Haliti, Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës,  Safet Gërxhaliu, Udhëheqësi i Sekretariatit për Luftimin e Ekonomisë Joformale dhe Krimeve Ekonomike të Ministrisë së Finanave,  Arment Merovci si dhe Kryesuesi i Komitetit Tatimor të Odës Amerikane,  Ruzhdi Zenelaj.

Arian Zeka, Drejtori Ekzekutiv i Odës Amerikane, potencoi se ky organizim është vazhdimësi e përpjekjeve të OEAK për përmirësimin e ambientit afarist në vend, përmes krijimit të mundësive për diskutime të mirëfillta lidhur me dukurinë e ekonomisë joformale për të cilën sipas disa analizave është konkluduar se vetëm në vitin 2013 përbënte rreth 27-35% të bruto produktit vendor.

Ai më tej tha se duke e ditur se nga numri i supozuar i tatimpaguesve aktivë që mendohet të jetë 45.000 duhet theksuar se vetëm 20.333 janë të fiskalizuar, gjë që sugjeron se me përmbylljen e procesit të instalimit të pajisjeve fiskale do të mund të kontribuohej në shtimin e të hyrave buxhetore.

Kryetari i OEK, Safet Gërxhaliu, numëroi disa nga efektet negative të informalitetit, duke filluar nga mbledhja e më pak të hyrave për buxhetin e vendit, e deri tek konkurrenca jo e barabartë mes kompanive që janë fiskalizuar dhe paguajnë tatimet me rregull dhe kompanive që i bishtërojnë futjes në një ekonomi të rregullt. Në këtë drejtim, ai shtoi se është shqetësues fakti që nga 900 pika të karburanteve janë fiskalizuar vetëm 60 prej tyre.

Gërxhaliu gjithashtu theksoi rëndësinë e forcimit të sundimit të ligjit si element kyç në përmirësimin e mjedisit afarist së bashku me përmirësimin e mëtejmë të legjislacionit.

Sipas tij, aktivitetet e shtuara drejt adresimit të informalitetit do të ndihmojnë që edhe bilanci tregtar që për momentin është 1 me 9 në favor të importit të përmirësohet, shkruan indeksonline. Gërxhaliu gjithashtu theksoi se duhet të mendohet seriozisht për amnesti tatimore, në mënyrë që ATK-së t’i hapet rrugë drejt shfrytëzimit më efektiv të resurseve.
 

Në anën tjetër, Behxhet Haliti, Drejtor i Përgjithshëm i ATK-së, duke theksuar se ende mbetet punë për t’u bërë në luftimin e mëtejmë të ekonomisë joformale, shpalosi disa nga të arriturat e institucionit që ai drejton në këtë aspekt. Sipas Halitit, përkundër faktit se vetëm 50% e tatimpaguesve nga ana e bizneseve janë të pajisura me arka fiskale, 96% e qarkullimit të përgjithshëm është e mbuluar me kupona fiskal, ndërsa humbjet e shkaktuara nga ekonomia joformale në kuptim të tatimit të pambledhur janë rreth 280-300 milionë.

Haliti shtoi se norma e mbledhjes së tatimeve është rritur dyfish krahasuar me normën e rritjes së BPV në vitet e kaluara. Ai theksoi rëndësinë që forcimi i mëtejmë i bashkëpunimit me institucione tjera, përfshirë edhe shoqatat e biznesit, do të krijojë një platformë edhe më të mirë në luftimin e kësaj dukurie. Në përmbyllje, Haliti tha se një ndër sektorët problematik që janë paraqitur në implementimin e projektit të fiskalizimit është edhe sektori i karburanteve.
 

Krahas kësaj, Arment Merovci, Udhëheqës i Sekretariatit per Luftimin e Ekonomise Joformale dhe Krimeve Ekonomike pranë Ministrisë së Financave theksoi se shkalla e llogaritur e informalitetit në Bashkimin Evropian është 18% dhe se institucionet e vendit janë të përkushtuara që t’i përafrohen shteteve të BE-së, duke u mundësuar kështu bizneseve kosovare një konkurrencë të drejtë. Merovci gjithashtu tha se trendi i mbledhjes së brendshme të tatimeve është inkurajues dhe është indikator i punës që po bëhet për adresimin e fenomenit të informalitetit.
 

Ruzhdi Zenelaj, Kryesues i Komitetit Tatimor të Odës Ekonomike Amerikane, shpalosi disa nga aktivitetet e këtij komiteti dhe rekomandimet që i janë drejtuar Administratës Tatimore për përmirësimin e mjedisit fiskal në vend. Ai theksoi rëndësinë e funksionimit më të mirë të mekanizmave ankimorë për bizneset në rast të kontesteve me ATK, si dhe domosdoshmërinë që institucionet e vendit të vendosin linja të vazhdueshme të komunikimit me institucionet simotra të vendeve fqinje, në mënyrë që të reduktohen mundësitë e paraqitjes së informalitetit. Gjithashtu, ai shtoi se edhe bizneset duhet të vetëdijesohen për efektet negative të kësaj dukurie