CH-Ballkani

Mbi 35 vjet burg të akuzuarve për sulm terrorist ndaj Kombëtares së Izraelit

Policia tha se arrestimet parandaluan sulmet terroriste në ndeshjen e futbollit ndërmjet Shqipërisë dhe Izraelit që duhej të zhvillohej në Shkodër e më pas u zhvendos në qytetin e Elbasanit

Gjykata në Prishtinë i shpalli fajtorë dhe i dënoi me heqje lirie dhe gjoba, nëntë persona, nën akuzën se në vitin 2016 kishin planifikuar të kryenin një sulm gjatë një ndeshjeje futbolli ndërmjet Izraelit dhe Shqipërisë.

V. Ibishi u dënua me 10 vjet heqje lirie, L. Gashi me 6 vjet, B. Istrefi me 3 vjet, L. Vojvoda dhe F. Gashi me nga 5 vjet, K. Plakaj dhe A. Ahmeti me nga 1 vit e gjysmë dhe L. Musliu me 3 vjet e gjysmë, ndërsa B. Peci u dënua me një gjobë prej 2500 eurosh, përcjell albinfo.ch.

Në vjeshtën e vitit 2016, policia e Kosovës në bashkëpunim me policinë e Shqipërisë, arrestoi 19 persona nën dyshimet për lidhje me grupin militant Shteti islamik dhe planifikim sulmi në Shqipëri, por edhe në Kosovë.

Policia tha se arrestimet parandaluan sulmet terroriste në ndeshjen e futbollit ndërmjet Shqipërisë dhe Izraelit që duhej të zhvillohej në Shkodër e më pas u zhvendos në qytetin e Elbasanit.

Sipas aktakuzës, katër nga të akuzuarit “me qëllim që seriozisht të frikësojnë popullsinë, të destabilizojnë dhe të shkatërrojnë strukturat themelore politike, kushtetuese, ekonomike dhe sociale të shteteve të Ballkanit e pastaj në territorin e tyre të krijojnë Shtetin Islamik, me dashje i janë përgjigjur thirrjes së pjesëtarit të organizatës terroriste ISIS të pandehurit Lavdrim Muhaxheri, që ta kryejnë një vepër terroriste, ashtu që pasi që i njëjti përmes kontakteve të rregullta me të pandehurin V.I., me anë të internetit – aplikacionit Telegram, këtij të pandehurit i ka bërë thirrje që ta kryejë sulmin terrorist kundër lojtarëve dhe tifozëve nga Izraeli të cilët duhej të vinin në Shqipëri, në qytetin e Shkodrës, për të zhvilluar ndeshjen futbollistike mes ekipeve të Shqipërisë dhe Izraelit më 12 nëntor 2016”.

Në akuzë thuhet se dy të pandehur, “gjatë muajit tetor 2016, sipas kërkesës së të pandehurit Lavdrim Muhaxheri, kanë përgatitur sulme terroriste në Kosovë, në atë mënyrë që, sipas marrëveshjes me të njëjtin, kanë planifikuar ta bëjnë sulmin terrorist – atentat në ndërkombëtarët ose zyrtarët të institucioneve të sigurisë”.