Lajme

Mbi 2 milion emigrantë të paligjshëm u larguan nga SHBA në 2025

Departamenti i Sigurisë Kombëtare (DHS) njoftoi se që nga 20 janari mbi dy milionë emigrantë të paligjshëm kanë braktisur SHBA-në, duke shënuar një moment historik për politikat e presidentit Donald Trump kundër imigracionit të paligjshëm.

Sipas një deklarate të DHS-së, ky numër përfshin rreth 1,6 milionë vetëdeportime vullnetare dhe më shumë se 400 mijë deportime formale, brenda një periudhe prej nën 250 ditësh.

Agjencia theksoi se është në rrugën e duhur për të arritur deportimin e rreth 600 mijë personave deri në fund të vitit të parë të administratës Trump.

Ndihmëssekretarja Tricia McLaughlin deklaroi: “Shifrat flasin qartë: dy milionë emigrantë të paligjshëm janë larguar ose vetëdeportuar në vetëm 250 ditë, duke treguar se politikat e presidentit Trump dhe udhëheqja e Sekretares Kristi Noem po japin rezultat dhe po e bëjnë më të sigurt komunitetin amerikan.”

Ajo paralajmëroi gjithashtu: “Zbatimi më i rreptë i ligjit që synon individët më problematikë po largon çdo ditë më shumë të huaj të paligjshëm kriminelë dhe po dërgon një mesazh të qartë për çdo person që hyn në SHBA në mënyrë të paligjshme: Vetëdeportohuni ose do të arrestoheni dhe deportoheni.”

DHS raportoi se për katër muaj rresht, Dogana dhe Mbrojtja Kufitare e SHBA-së nuk ka lejuar hyrjen e asnjë emigranti të paligjshëm, duke u mbështetur në një studim të OKB-së që tregon një rënie prej 97% të migracionit nga Amerika Qendrore që nga fillimi i politikave të Trump.

Sipas agjencisë, pothuajse gjysma e emigrantëve të anketuar kanë hequr dorë nga planet e tyre, duke menduar se “nuk do të ishte e mundur të hynin në SHBA nën administratën Trump”.

DHS i atribuon këtë sukses “Ligjit të Madh dhe të Bukur” të Trump-it, i cili ka përshpejtuar punësimet në Agjencinë për Zbatimin e Ligjit për Imigracionin dhe Doganat (ICE). Sipas agjencisë, më shumë se 150 mijë aplikime për punë janë dorëzuar në javët e fundit dhe kapaciteti për arrestime është zgjeruar përmes marrëveshjeve me 40 shtete.

DHS deklaroi se “epoka e kufijve të hapur ka marrë fund” dhe premtoi vazhdimin e zgjerimit të arrestimeve dhe deportimeve.