Opinione
Mbeturinat në Kosovë: kush është fajtor?

Në vazhdën e modës sezonale që është përhapur ditët e fundit në Kosovë, para ca ditësh kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, kishte veshur fanellën e një aksioni për të pastruar vendin nga mbeturinat që po e ngufasin Kosovën. Në ato suaza, ai bëri lidhjen mes ndotjes së ambientit dhe liberalizimit të vizave. Ky apel moralizues ishte jo i drejtë, ngase bën fajtor qytetarin për gjendjen e mjerueshme të natyrës së martirizuar kosovare. Është paksa njëjtë sikurse fabrikantët e ambalazheve të fajësojnë konsumatorët për ndotjen!
Në fakt, qytetarët e ndajnë një pjesë të fajit për sjelljen që kanë ndaj ambientit, por obligimi i shtetit është që të bëjë çmos që të ndryshojë qasjen e qytetarëve ndaj ambientit dhe të mirave kolektive, t’i vetëdijesojë ata, veçanërisht të rinjtë, dhe sidomos të definojë politika publike efikase në tërë territorin (dhe jo vetëm në qendra urbane) për ta mbrojtur ambientin. Kjo e fundit bëhet përmes alokimit të mjeteve dhe vendosjes së zinxhirëve infrastrukturorë për ndarje dhe mbledhje të mbeturinave, si dhe reciklimit të tyre. Paralelisht, duhet një përkushtim urgjent për filtrimin e ujërave të zeza dhe ndotjeve paraindustriale që e shkatërron çdo ditë florën dhe faunën e Kosovës, me dëme afatgjata, pa e harruar ajrin tejet të ndotur të rrafshit të Prishtinës nga helmi i Obiliqit.
Natyrisht, edhe masat disiplinore dhe financiare duhet ta përcjellin qasjen globale për ta mbrojtur ambientin e Kosovës, paralelisht me programe edukative shkollore dhe fushata pozitive nxitëse për reciklim, duke lidhur dashurinë ndaj vendlindjes me dashurinë ndaj natyrës, në stilin: «E mbroj natyrën, sepse e dua Kosovën». Duhet larguar mentalitetin e kolektivitetit komunist të trashëguar, duke ngritur nivelin e përgjegjësisë individuale ndaj të mirave shoqërore dhe duke i konsideruar ato po ashtu si të mira personale.
Tejkalimi i logjikës së fajësimit dhe moralizimit të qytetarëve bëhet duke ngritur qasjen ndaj ambientit në nivel të përgjegjësisë shtetërore, sepse interesi kombëtar është në pyetje. Dëmet nga ndotja e ambientit janë të mëdha për shoqërinë, si ato shëndetësore, ekologjike dhe, sidomos ekonomike. Plehrat e hedhura gjithandej në Kosovë janë si shpata e Damokleut që dëmton rëndë bujqësinë, blegtorinë dhe sidomos turizmin kosovar. Janë të shumta dëshmitë e vizitorëve të huaj në Kosovë dhe Shqipëri që mbesin të shokuar me prezencën kudo të mbeturinave, qoftë në male, fusha dhe, sidomos në lumenjtë shqiptarë.
Çështja e ambientit mund të shndërrohet nga një sfidë në oportunitet për ekonominë kosovare, sepse që me vite është duke u promovuar nocioni i ekonomisë së gjelbër, që përfshin po ashtu edhe sektorin e mbeturinave, energjisë si dhe industrisë ushqimore. Me mijëra vende pune mund të krijohen duke mbrojtur natyrën. Prandaj, çdo euro e investuar për ta mbrojtur natyrën, mund të kthehet shumëfish, sikurse për nga aspekti ekonomik, por edhe ai shëndetësor, duke ndikuar në përmirësimin e cilësisë së jetës të qytetarëve të Kosovës dhe zbritjen e kostos mjekësore.
Veç kësaj, sanimi i Kosovës dhe Ballkanit nga ndotjet që burojnë në deponitë e egra do t’u kushtojë jashtëzakonisht shtrenjtë shteteve (lexo qytetarëve), ngase kjo do të jetë një nga kushtet e rëndësishme për t’u anëtarësuar në familjen evropiane!
Dr. Bashkim Iseni, politolog
E-Diaspora
-
Promovohen dy libra të krijuesit, Brahim Avdyli Librat që promovohen në Konsullatën e Kosovës në Cyrih, janë: "Bota shpirtërore në krijime të veçanta",...
-
Arrestohet 18 vjeçari shqiptar në Itali, mbante mbi 220 doza kokaine në xhep
-
Vjenë: Mbi 190 profesionistë shqipfolës nga e gjithë Evropa në eventin e Illyrian Brains
-
Ulen dënimet e kosovarëve të akuzuar për skllavërim të grave: Mungojnë faktet
-
Konflikt mes shqiptarëve në Itali, vritet me thikë 35-vjeçari
Jeta në Austri
-
Austriakët arritën rekord prej 27.5 milionë udhëtime pushimesh Pavarësisht një ekonomie të dobët, entuziazmi i austriakëve për udhëtime mbetet i pashuar. Sipas të dhënave...
-
Domethënia e zgjedhjeve të Vjenës për të huajt, sezoni i alergjive dhe ngjarjet kryesore të javës në Austri
-
Vjenë: Mbi 190 profesionistë shqipfolës nga e gjithë Evropa në eventin e Illyrian Brains
-
Hetimi për aksidentin ajror në Graz në 2024 i kalon Zvicrës
-
Austri: Nxënësi 15-vjeçar pranon se ka dërguar kërcënime për bomba në tre shkolla