Lajme

Mbahet mbledhja e përbashkët e dy qeverive

Me moton: “Një Tokë, Një Popull, Një Ëndërr”, bë Tiranë u mbajt mbledhja e përbashkët e dy qeverive, të Kosovës dhe Shqipërisë. Nga kjo mbledhje dolën 11 marrëveshje

Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë me moton “Një Tokë, Një Popull, Një Ëndërr”, e mbajtën mbledhjen e dytë të përbashkët në Tiranë, ndërsa dy kryeministrat, Isa Mustafa dhe Edi Rama deklaruan për lidhje më të fuqishme vëllazërore ndërmjet dy shteteve, ndërsa premtuan heqjen e të gjitha barrierave në ekonomi, politikë, diplomaci, integrim arsim e kulturë.

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se Shqipëria nuk do resht së mbështeturi Kosovën në procesin e liberalizimit të vizave, pasi që ky regjim i vizave është një padrejtësi cinike, është turp për BE që nuk i ka hequr vizat për Kosovën..Kryeministri theksoi se mirëpret liberalizimin e vizave për shtetin më të ri evropian.

Ai tha se parashikohet të hapet shumë shpejt konsullata e përbashkët në Mynih dhe Milano. “Instrumentet që do nënshkruhen sot për sigurinë, arsimin, etj do tkurrin distancat e të dy vendeve”, ka thënë Rama.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka hapur mbledhjen e dy qeverive, duke thënë se urat e së nesërmes na dërgojnë drejt qëllimit strategjik për të ardhmen e shqiptarëve në rajon. Rama edhe një herë kërkoi nga Serbia të drejta të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, duke thënë se ata të kenë të drejta aq më shumë e as më pas sa kanë të drejta serbët në Kosovë.

“Kosova dhe Shqipëria janë një popull qytetarie dhe qytetaresh, për 1 vit treguam harmonizimin e politikave të përbashkëta në fushën e arsimit, ekonomisë, sigurisë ushqimore apo bashkëpunimi në fushën e kulturës”, ka thënë deklaruar mes tjerash kryeministri shqiptar, Rama.

Nga ana e tij, Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa tha se me këtë mbledhje por realizohet ëndrra e kamotshme e kombit për bashkëpunim të papenguar në mes dy vendeve.

Sipas Mustafës ky bashkëpunim mes Kosovës dhe Shqipërisë i konfirmuar edhe në deklaratën e Prizrenit është bërë një model i bashkëpunimit rajonal.

“Për neve mbetet prioritet bashkëpunimi me Shqipërinë, për proceset e integrimeve euroatlantike sepse këto dyja shtete japin kontribut të drejtpërdrejt në paqe dhe siguri në rajon”, tha Mustafa.

Ai tha se Kosova dhe Shqipëria me bashkëpunimin që kanë janë bërë burim global i frymëzimit veçmas në kohën kur ato vlera po përdhosen me gjakderdhje. Sipas Mustafës edhe Kosova edhe Shqipëria kanë dëshmuar luftën globale kundër terrorizmit si dhe gjatë gjtihë historisë kanë dëshmuar për tolerancë fetare si në ditë të mira por edhe të këqija.

Mustafa ka përmendur prioritetet e Kosovës për bashkëpunim me Shqipërinë që sipas tij është zhvillimi ekonomik.

Sipas kryeministrit të Kosovës integrimi euroatlantik i dy vendeve është aspiratë e popullit që përfaqësojnë. Por sipas tij këtë rrugë ata duhet ta marrin si dy shtete të pavarura. “Stacioni ynë i fundit i Kosovës dhe Shqipërisë është rrugëtimi për Bruksel dhe shpresoj se këtë do ta arrijmë shumë shpejt”, ka thënë Mustafa në Tiranë.

Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati deklaroi se anëtarësimi i dy vendeve tona në Bashkimin Europian dhe ankorimi euroatlantik, janë prioritetet kryesore të Shqipërisë dhe Kosovës, në politikën e tyre të jashtme. “Bashkëpunimi dypalësh ne fushën e sigurisë mes nesh është shumë i rëndësishëm, në situatën e fundit të krijuar në botë”, tha Bushati.

Kryediplomati shqiptar theksoi se Konferenca e Berlinit është ogur i mirë për transformimin e Ballkanit nga pikëpamja e sigurisë dhe projekteve të ndryshme që do të sjellin edhe përmirësimin ekonomik të dy vendeve tona.

“Më shumë se marrëveshjet që nënshkruajmë sot, ka rëndësi cilësia e bashkëpunimit mes nesh, që janë një sinjal shumë i mirë jo vetëm për shqiptarët në vendet tona, por ata bashkëkombasit tanë në diasporë”, tha Bushati.

Ndërsa ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi ndërsa ka vlerësuar bashkëpunimin mes dy shteteve, ka theksuar bashkëpunimin dhe lobimin e dy vendeve për njohjen e Pavarësisë së Kosovës.

“Lobimi që Rama ka bërë në Rumani dhe vende të tjera ka çuar më të tej hapjen e negociatave për njohjen e Pavarësisë. Do koordinojmë punën tonë për të bindur shtete e tjera të njohin Kosovën si një shtet sovran. Një bashkëpunim i ngushtë edhe me shqiptarët në Mal të Zi dhe në Luginën e Preshevës. Na takon të implementojmë projekte të përbashkët për harmoninë fetare”, u shpreh Thaçi.

Nga kjo mbledhje e përbashkët dolën 11 marrëveshje, përfshirë këtu edhe “Marrëveshjen për mësimin plotësues të gjuhës shqipe në mërgatë e diasporë”, nënshkruar nga tre ministrat, ai i Diasporës së Kosovës, Valon Murati dhe dy ministrat e Arsimit, Arsim Bajrami i Kosovës dhe Lindita Nikolla e Shqipërisë.