Jeta në Zvicër

Martin Sager, drejtor i ri i DEZA/DDC

Ai zëvendëson drejtorin e deritashëm Martin Dahinden, i cili do të marrë postin e të parit, gjegjësisht do të bëhet ambasador i Zvicrës në SHBA

Ambasadori i deritashëm i Zvicrës në Uashington, Manuel Sager do të jetë shefi i ri i Drejtorisë për Bashkëpunim dhe Zhvillim (DEZA). Ai do të zëvendësojë drejtorin e deritashëm Martin Dahinden, i cili, pas emërimit të bërë nga Qeveria federale do të marrë postin e të parit, gjegjësisht do të bëhet ambasador i Zvicrës në SHBA.

Manuel Sager (59 vjeçar) zotëron përvoja të shumanshme në çështjet ndërkombëtare, të politikave financiare dhe të ekonomisë, thuhet në një komunikatë të Këshillit Federal të lëshuar me këtë rast. Pasi që ai ka përvoja pune në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, konsiderohet se Sager njeh shumë mirë edhe sfidat zhvillimore politike, që janë në fokus të postit të tij te ri në DEZA.

Sager është i lindur në Menziken të kantonit Aargau. Veç posteve tjera ai, para se të bëhej ambasador i Zvicrës në SHBA, ka qenë edhe zëvendës i konsullit të përgjithshëm të Zvicrës në Nju Jork. Ndërsa në vitin 2005 ai qe emëruar në postin e ambasadorit dhe njëherësh drejtorit ekzekutiv të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.