Lajme
Marrëveshjet e fshehta në dëm të shtetasve të Kosovës*

Qeveria zvicerane ka miratuar në fund të muajit shtator nënshkrimin e një marrëveshjeje me Republikën e Kosovës për transferimin e të burgosurve. Kjo marrëveshje, së bashku me marrëveshjen për riatdhesim kanë të bëjnë më shumë me rregullimin e problemeve të migracionit në Zvicër dhe më pak me liberalizimin e vizave. Të dy marrëveshjet dëmtojnë rëndë interesat e shtetasve të Kosovës në Zvicër.
Për dalim nga Qeveria zvicerane, Qeveria e Kosovës nuk ka publikuar asnjë lajm për përgatitjen e marrëveshjes për transferimin e të burgosurve me Zvicrën. Kjo praktikë, deri tani e suksesshme i mundëson Qeverisë që marrëveshjet në dëm të shtetasve të Kosovës t’i publikojë pas nënshkrimit të tyre dhe t’i prezantojë si arritje të suksesshme. Në këtë frymë u nënshkrua më 3 shkurt 2010 marrëveshja për riatdhesim. Ajo hyri në fuqi më 1 qershor 2010, në kohën kur në Kosovë nuk kishte ligj për këtë çështje. Ligji për ripranim, mbi bazën e të cilit do të duhej të nënshkruheshin marrëveshjet për riatdhesim, u miratua nga Parlamrienti i Kosovës më 25 qershor, pra disa muaj pas nënshkrimit të marrëveshjes me Zvicrën. Në këtë kuptim Qeveria e atëhershme e Kryeministrit Thaçi bëri një veprim ilegal, pa bazë ligjore dhe prapa shpinës së Parlamentit.
Qëllimet fillestare të marrëveshjeve për transferimin e të burgosurve
Këshilli i Evropës ka miratuar më 21 mars të vitit 1983 një marrëveshje për transferimin e të burgosurve. Kjo marrëveshje ka për qëllim thellimin e bashkëpunimit mes shteteve në lëmin e ekzekutimit të dënimeve. Në thelb, ajo ka për qëllim që të dënuarve të huaj në një vend t’ua japë mundësinë ta vuajnë dënimin në vendin e tyre, respektivisht në këtë mënyrë të mbështesë riintegrimin e tyre në shoqëri.
Një prej kushteve kryesore të transferimit ishte pajtimi i të burgosurit për ta vuajtur dënimin në vendin e tij. Në këtë kohë shtetet evropiane kishin më pak se sot probleme të migracionit. Marrëveshja synonte të rregullonte kryesisht çështjet që kishin të bëjnë me shtetasit brenda shteteve anëtare të Këshillit të Evropës. Në këtë kuptim ajo mund të cilësohej si një marrëveshje shumë humanitare. Marrëveshja është nënshkruar edhe nga shtete jashtë Këshillit të Evropës. Me rritjen e migracionit dhe problemeve që lidhen me të shumë vende evropiane u ballafaquan me problemin e dëbimit të migrantëve që kanë bërë vepra penale në këto vende dhe me shpenzimet e larta për burgje. Për këto arsye, më 18 dhjetor të vitit 1997 marrëveshjes për transferim iu shtua edhe pjesa e njohur si “Protokolli shtojcë”. E rëndësishme në protokollin shtojcë është që transferimi i të burgosurve mund të bëhet edhe pa pajtimin e tyre, gjë që është një shkelje e të drejtave të njeriut. Zvicra ka nënshkruar protokollin shtojcë në vitin 2004. Nënshkrimi i këtij protokolli ka ngjallur në Zvicër shumë reaksione negative në shtyp dhe nga Asociacioni i Juristëve Demokratë.
Kritikat zvicerane për marrëveshjen për transferimin e të burgosurve
Qeveria zvicerane pas nënshkrimit të protokollit shtojcë të marrëveshjes për transferim ka deklaruar që do të angazhohet për marrëveshje bilaterale me vendet të cilat nuk kanë nënshkruar marrëveshjen multilaterale. Ndër këto vende hyn edhe Kosova. Juristët Demokratë të Zvicrës kanë kritikuar këtë marrëveshje, sepse ajo është nënshkruar edhe me shtete, si Bolivia, Kili ose Venezuela, të cilat kanë probleme të mëdha sa i përket kushteve në burgje (burgje të stërmbushura, ushqim të pamjaftueshëm, mungesë të përkujdesjes shëndetësore, mundësi të vogla të riintegrimit, dhunë mes të burgosurve etj.)
Probleme të ngjashme ka edhe në vendet e Evropës, si në Bullgari, Maqedoni, Rumani, Moldavi e Ukrainë. Sipas raporteve të Human Rights Watch, Amnesty International dhe Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, shprehen Juristët Demokratë të Zvicrës, kushtet në burgjet e këtyre vendeve nuk garantojnë në çdo rast të drejtat e njeriut. Në vitin 2011 Këshilli i Evropës ka publikuar një raport, sipas të cilit në burgjet e Kosovës shkelen në mënyrë drastike të drejtat e njeriut. Fjala është për tortura fizike, tretman të pamjaftueshëm shëndetësor dhe një varg shkeljesh të tjera.
Kosova nuk i plotëson kushtet për marrëveshjen për transferim
Në Zvicër shpenzimet e shtetit për një të burgosur sillen prej 500 deri në 700 franga në ditë. Një i dënuar me 5 vjet burgim i kushton shtetit zvicerian rreth një milion franga. Pala zvicerane ka për qëllim zvogëlimin e shpenzimeve dhe eksportimin e problemeve nga Zvicra në Kosovë. Në këtë kuptim ajo nuk ndjek qëllimin humanitar për mbështetjen e të dënuarve për riintegrim në një hapësirë të njohur kulturore për ta. Në fakt, për shumicën e të burgosurve në Zvicër ambienti i njohur kulturor është Zvicra, për shkak se ata kanë lindur apo jetuar gjatë në Zvicër. Mosrespektimi i parimit të riintegrimit bie në kundërshtim edhe me ligjet zvicerane.
Një element tjetër që bie ndesh me marrëveshjen e Këshillit të Evropës është gjendja në burgjet e Kosovës, në të cilat shkelen të drejtat dhe liritë themelore të njeriut. Qëllimi politik i kësaj marrëveshjeje është dëbimi i të huajve që konsiderohen të papërshtatshëm për vendin. Ky është edhe një ndër qëllimet kryesore të partisë më të madhe në Zvicër, Partisë Popullore.
Hilja e marrëveshjes
Në Zvicër zhvillohet pjesërisht një politikë diskriminuese ndaj të huajve. Këto ligje mundësojnë që të huajt jashtë Bashkimit Evropian ta humbin lejen e qëndrimit, qoftë edhe për shkak të shkeljeve të vogla penale, për shkak të tejkalimit të rregullave të komunikacionit, marrjes në shërbim të shumave të caktuara të ndihmave sociale, keqpërdorimit të ndihmave sociale, etj. (ligji për dëbim). Të dy marrëveshjet, si ajo për riatdhesim, ashtu edhe ajo për transferimin e të burgosurve mundësojnë kthimin e padrejtë të shtetasve të Kosovës që kanë lindur në Zvicër apo që jetojnë prej dekadash aty. Përmes marrëveshjeve të tilla bilaterale Qeveria zvicerane zgjedh problemet e migracionit në Zvicër, ndërsa Qeveria e Kosovës importon probleme sociale. Hilja kryesore qëndron në faktin që Zvicra përmes ligjeve diskriminuese u heq shtetasve të Kosovës të drejtën e qëndrimit, pavarësisht se ata kanë lindur në Zvicër dhe kanë jetuar gjatë aty dhe në këtë mënyrë i bën automatikisht pjesë të marrëveshjes për riatdhesim dhe transferim të të burgosurve.
Marrëveshja për transferim nuk duhet të firmoset pa u specifikuar
Qeveria e Kosovës, pa përcaktuar qartë se në cilat raste mund të transferohet i burgosuri, nuk duhet ta nënshkruajë këtë marrëveshje. Ajo duhet të kërkojë përmbushjen e të gjitha standardeve të parapara sipas marrëveshjes për transferim të Këshillit të Evropës të vitit 1983, të përfshijë në marrëveshje si kusht pajtimin e të dënuarit për transferim dhe të përjashtojë nga marrëveshja shtetasit e Kosovës që kanë pasur leje qëndrimi në Zvicër deri në ditën e arrestimit.
Liberalizimi i vizave dhe marrëveshjet bilaterale
Për liberalizimin e vizave kërkohet nga shtetet që pretendojnë ta arrijnë këtë qëllim marrëveshje, sipas të cilave ato garantojë kthimin e shtetasve të huaj në vendin e tyre, nëse ata kanë kërkuar azil politik dhe kërkesa e tyre s’është pranuar, nëse ata kanë punuar pa leje pune, apo p.sh. nëse ata kanë kaluar afatin ligjor të qëndrimit në njërin nga vendet e zonës Shengen.
Shtetasit e Kosovës që jetojnë jashtë vendit kanë leje të përhershme qëndrimi, janë pjesë e shoqërisë së atij vendi, prandaj dhe ata s’duhet të përfshihen në çështjet që kanë të bëjnë me liberalizimin e vizave. Për rregullimin e çështjeve që kanë të bëjnë me migracionin ekonomik duhet të bëhen marrëveshje të veçanta që rregullojnë çështjet e sigurimeve sociale, si p.sh. të pensioneve, çështjet e subvencionimit të kthimit të tyre në Kosovë, të arsimit, çështje të të drejtave të tyre, çështjet e integrimit, arsimit, e kështu me radhë.
Derisa Ministria për Diasporë ditën po merret me çështjet e themelimit të qendrave kulturore, të cilat mërgimtarët e Kosovës i njohin më mirë, Qeveria e Kosovës po nënshkruan natën marrëveshje bilaterale në dëm të tyre.
*Pikëpamjet e shprehura në këtë kronikë shprehim mendimet e autorit dhe nuk reflektojnë domosdoshmërisht mendimet e redaksisë.
E-Diaspora
-
Kosovarja fsheh pasurinë prej 350,000 frangash për të marrë ulje të primeve Një grua 74-vjeçare është gjobitur për mashtrime të shumëfishta. Gruaja kishte marrë fonde nga Kantoni i...
-
Mijëra shqiptarë “pushtuan” rrugët e Nju Jorkut në paradën kuqezi
-
Arrestohen 11-të persona në Itali, mes tyre shqiptarë
-
Sot nis Alba Festival në zemër të Cyrihut
-
Plagosje me armë në Itali, dyshohet për një shqiptar
Jeta në Austri
-
Austri: 11 të lënduar në aksidentin e rëndë me autobus në A1 Një aksident i rëndë trafiku ndodhi të shtunën mbrëma në autostradën A1, pranë zonës së pushimit...
-
95.8% e liqeneve dhe lumenjve të Austrisë janë vlerësuar si të “shkëlqyeshëm”
-
Ku në Evropë janë pikat më të pastra dhe më të pista të notit?
-
Pse gjatë verës në Alpe do të ketë reshje shumë më intensive në të ardhmen?
-
Dy të tretat e austriakëve planifikojnë pushime verore