Lajme

”Maqedonia me plan “B”, paralajmëron viza për kosovarët

Derisa qeveria në Shkup po mendohet të aplikoj planin “B”, disa maune dhe autobusë të kompanisë “Malamtrans” kanë bllokuar rrugën që lidhë Prishtinën me Shkupin, në dalje të Bllacës

Përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës dhe ata të Maqedonisë nuk kanë arrit të merren vesh për tejkalimin e ngërçit ekonomik ndërmjet dy vende, ndërsa situata në terren ka vazhduar të rëndohet edhe më shumë. Maqedonia, tani ka filluar të mendoj aplikimin e vizave për kosovarët. 

Derisa qeveria në Shkup po mendohet të aplikoj planin “B”, disa maune dhe autobusë të kompanisë “Malamtrans” kanë bllokuar rrugën që lidhë Prishtinën me Shkupin, në dalje të Bllacës, njofton Zhurnal

Kjo është mënyra që ka zgjedhur Shkupi për t’i ushtruar presion Qeverisë së Prishtinës, për tërheqjen e vendimit për bllokimin e të gjitha mallrave “Made in Macedonia”. Embargoja e Prishtinës, i shkakton humbje ekonomisë maqedonase deri 1 milion dollarë për një ditë.

Ndërkaq, siç ka deklaruar e përditshmja maqedonase “Dnevnik”, Qeveria e Maqedonisë është duke menduar që ta aplikojë regjimin e vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës.

Komisioni Evropian, ndërkohë u kërkoi palëve të përfshira në këtë konflikt që t’i përmbahen marrëveshjes së CEFTA-s. Kjo marrëveshje parashikon një tregti të lirë ndërmjet vendeve të rajonit.

Një ditë më par, në Prishtinë qëndroi ministri i Ekonomisë të Maqedonisë, Valon Saraçini i cili u takua me ministren e Tregtisë dhe Industrisë Mimoza Kusari-Lila dhe me ministrin e Ekonomisë, Besim Beqaj. Ky takim rezultoi pa marrëveshje, por tha se takimet do të vazhdojnë.

“Jemi të gatshëm që në momentin kur Republika e Maqedonisë bën tërheqjen e dy masave kushtëzuese atë të miellit që është ende në fuqi dhe masës penguese të lëvizjes së lirë të njerëzve atëherë edhe Qeveria e Kosovës do të heq ndalesën e saj për import për mallrat që vinë  nga Maqedonia”, thotë Kusari-Lila.

Në anën tjetër, ministri i Ekonomisë së Maqedonisë Valon Saraçini thotë se do të shfrytëzohen të gjitha mekanizmat që të gjendet një gjuhë e përbashkët dhe të tejkalohet ky problem.

“Qeveria jonë dëshiron dhe është e interesuar që sa më shpejtë që të zgjidhet ky problem dhe ne jemi të gatshëm për dialog dhe jam i gëzuar që po fillojmë një dialog konstruktiv dhe unë shpresojë që në një afat shumë të shpejtë ne do të harmonizojmë qëndrimet tona dhe do të gjejmë një zgjidhje të përbashkët”, ka thënë Saraçini.

Saraçini ka shtuar se vënia e masës kufizuese për importin e miellit dhe grurit nuk ka qenë vetëm ndaj Kosovës dhe kjo nuk është në kundërshtim me marrëveshjen e CEFTA-s.

Sipas tij, këtë vendim Qeveria e Maqedonisë e ka bërë për t’i mbrojtur vendimet vendore, raporton REL.

Maqedonia, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës eksporton mallra në vlerë prej rreth 300 milion euro, derisa Kosova në Maqedoni nuk arrin të eksportojë mallra më shumë se mbi 20 milion euro.

Përfaqësues të Bizneseve të Bizneseve thonë se Prishtina zyrtare iu është dashur t’i kundërpërgjigjet Maqedonisë më embargo, pasi që Maqedonia, siç thekson Agim Shahini nga Aleanca Kosovare e Biznesit, për të tretin vit më radhë po i paraqet problem eksportuesve të miellit dhe grurit kosovarë.

“Në ekonominë e Kosovës kjo nuk do të vërehet për arsyeje se nga viti 2010 deri në gjashtë mujorin e parë të këtij viti nga Maqedonia kemi pasur një import prej mbi 1 miliardë euro. Derisa në të njëjtën periudhë Kosova ka pasur eksport në Maqedoni vetëm 73 milion euro”, bën të ditur Shahini.

Kosova dhe Maqedonia janë anëtare e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë me vendet e Evropës Qendrore.

Siç pritet, sot Shkup do t`i ofrojë një propozim Prishtinës që të heq ndalesën për importin e miellit të Kosovës dhe heqjen e taksës për qytetarët e Kosovës nga data 15 shtator.