Lajme

Mandatari Haradinaj i (jashtë)ligjshëm

Marrëveshja e tri partive politike për të nominuar Ramush Haradinajn për kryeministër të Kosovës ka ngjallë reagime. Ekspertët janë në hall, nëse është apo jo kushtetuese

Marrëveshja për koalicion realizuar nga përfaqësuesit e tri subjekteve të ashtuquajtura opozitare, LDK, AAK dhe Nisma, ka ngjallë reagime në partinë fituese, PDK e cila këtë marrëveshje dhe mandatarin për kryeministër, Ramush Haradinaj e konsiderojnë jo-kushtetues. Madje ata thonë se mandatari për kryeministër i takon Hashim Thaçit.

 

Lidhur me këtë marrëveshje janë deklaruar edhe ekspertë të çështjeve juridike, ndërsa asnjëri prej tyre nuk e ka dhënë të njëjtin version. Kjo për faktin se Kushtetuta e Kosovës, nuk e qartëson si duhet mandatarin për qeverinë e re.

   

Sipas Kushtetutës, pas zgjedhjeve, Presidenti i Kosovës i propozon Kuvendit kandidatin për kryeministër, në konsultim me partinë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën e nevojshme në Kuvend për të formuar Qeverinë. Mandatari brenda 15 ditësh duhet ta paraqet përbërjen e Qeverisë para Kuvendit.

 

“Nëse përbërja e propozuar e Qeverisë nuk merr shumicën e votave të nevojshme, Presidenti i Kosovës, brenda 10 ditësh emëron kandidatin tjetër sipas së njëjtës procedurë”, thuhet në Kushtetutë. Pra në kushtetutë thuhet kandidati tjetër,  e sipas ekspertëve kjo nuk e qartëson nëse të drejtën e ka partia e dytë fituese.

 

Njohësi dhe hartuesi i Kushtetutës, Arsim Bajrami ka thënë se marrëveshja e arritur në mes LDK-së, AAK-së dhe Nismës për Kosovën është antikushtetuese. Sipas tij, Kushtetuta e përcakton që mundësinë për formimin e qeverisë së re e ka vetëm partia që ka dalë e para në zgjedhje parlamentare.

 

“Neni 95 në mënyrë shumë të qartë e përcakton që mandatin për ta formuar qeverinë e ka partia politike apo koalicioni parazgjedhor që ka shumicën e ulëseve në Parlament dhe nëse brenda 15 dite nuk arrihet të formohet qeveria nga mandatari i parë atëherë përsëri presidentja do ta nominojë kandidatin nga mazhoranca”, tha ai.

 

Sipas Bajramit, që është edhe anëtari i partisë së kryeministri Hashim Thaçi, në asnjë variant nuk i takon opozitës të propozoj kandidatin për kryeministër.

 

Mirëpo sikurse Bajrami nuk mendojnë ekspertët tjerë. Ata i japim të drejt partive të tjera që ta propozojnë qeverinë në rast se i kanë emrat.

 

Riza Smaka, njëri nga ish-anëtarët e Komisionit për Hartimin e Kushtetutës së Kosovës, ka thënë se partia që ka marrë më së shumti vota duhet t’ia prezantojë presidentes së vendit kandidatin për kryeministër e pastaj ajo e nominon para Kuvendit.

 

Por, sipas tij, në rast se dështon t’i marrë votat e nevojshme për formimin e qeverisë, atëherë duhet t’i jepet rasti partisë që garanton që i ka votat e nevojshme, që në këtë rast është Ramush Haradinaj me koalicionin AAK-LDK dhe Nisma për Kosovën.

 

“Në Kushtetutë nuk është e përcaktuar se nominimi i dytë nga cila parti duhet të bëhet, por mund të bëhen kombinime tjera, mund të tentoj partia e parë me një koalicion tjetër, por nëse në rastin e parë dështon partia e parë, atëherë ajo nuk kontribuon në rastin e dytë”, ka thënë ai

 

Ndryshe, ende pa u certifikuar zgjedhjet parlamentare të 8 qershorit, liderët e tri subjekteve politike, Isa Mustafa, Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj i Nismës, nën idenë e Albin Kurtit kanë arritur një marrëveshje për formimin e qeverisë së re nga blloku opozita.

 

Marrëveshja parashikon që Ramush Haradinaj të dominohet për kryeministër, derisa pozita e kryetarit të Kuvendit të Kosovës dhe ajo e presidentit pas dy viteve, t’i takojë Lidhjes Demokratike të Kosovës, ndërkaq, Nismës i është lënë pozita e zëvendëskryeministrit.

 

Në anën tjetër, kryeministri Hashim Thaçi ka shkuar në facebook se ai dhe partia e tij do ta kenë mandatin për të formuar qeverinë. 

 

“Zgjedhjet e 8 qershorit kaluan si më të mirat e pasluftës dhe tek sa po numërohen edhe votat e fundit, është e qartë sot siç ishte e qartë edhe dje, se mandatar i Qeverisë së ardhshme është partia fituese e zgjedhjeve dhe koalicioni parazgjedhor prej Partisë Demokratike të Kosovës dhe koalicionit për Mision të Ri”, thotë Thaçi.

 

Ai i siguron qytetarët dhe votuesit se ne do të fillojmë me Misionin e Ri, të zhvillimit ekonomik të vendit tone, sipas afateve ligjore dhe kushtetuese.

 

Ndërsa zyrtarë nga partia e Thaçit nuk e përjashtojnë mundësinë edhe në shkuarjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme. Arsim Bajrami, profesor i së Drejtës Kushtetuese tha se “PDK-së si fituese e zgjedhjeve i takon ta formojë qeverinë, në të kundërtën Kosova do të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare”.