Lajme
Makolli, takime në Nju Jork me mërgatën shqiptare
Ministri Makolli, çmoi angazhimin e madh që diaspora shqiptare në SHBA e ka bërë në të gjitha periudhat
Ministri i Diasporës, Ibrahim Makolli po qëndron për një vizitë disa ditëshe në SHBA ku do të ketë takime të ngjeshura me përfaqësues të shoqatave dhe asociacioneve shqiptaro-amerikane në Nju Jork dhe Uashington.
Takimin e parë ministri Makolli e zhvilloi në Nju Jork me drejtues të Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan, Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, përfaqësues të Federatës Pan Shqiptare “Vatra”, shoqatës “Lidhja e Prizrenit”, të shoqatës “Atlantiku”, Fondacionit “Plavë e Guci” e përfaqësues të shoqatave e asociacioneve tjera të diasporës në SHBA.
Ministri Makolli, çmoi angazhimin e madh që diaspora shqiptare në SHBA e ka bërë në të gjitha periudhat e ndërtimit të shtetit të Kosovës, zhvillimit të tij dhe ndihmat që ata i kanë dhënë me dekada të tëra për procese të ndryshme nëpër të cilat ka kaluar vendi ynë.
Makolli, ka theksuar se pa ndihmën e diasporës në SHBA është e vështirë të mendohet se Kosova do të ishte këtu ku është sot, një vend i pavarur dhe me perspektivë të mirë për tu integruar në strukturat euro-atlantike.
“Në SHBA Kosova ka një diasporë të rëndësishme si një aspektin politik ashtu edhe në atë ekonomik dhe në aspektin intelektual. Lidhjet e tyre me drejtues të lartë të shtetit mik amerikan kanë bërë të mundshme që Kosova sot të jetë vend i lirë dhe i pavarur. Angazhimet e kësaj diaspore në SHBA me dekada, duke u nisur qysh para një shekulli me Fan Nolin e Faik Konicën, janë të pazëvendësueshme. Tash si shtet i pavarur, Kosova po krijon mekanizma për trajtimin institucional të mërgimtarëve tanë kudo që ata ndodhen dhe këtë obligim tani e ka Ministria e Diasporës, e cila tashmë ka filluar hartimin e politikave në këtë drejtim”, ka thënë, ministri i Diasporës, Ibrahim Makolli.
Ai ka folur edhe për prioritetet tjera që ka MeD, duke veçuar këtu mësimin plotësues në gjuhën amtare për fëmijët tanë në diasporë, si çështje me rëndësi të veçantë për ruajtjen e identitetit kombëtar, kulturor e gjuhësor.
Në kuadër të këtyre prioriteteve, Ministri Makolli përmendi edhe hapjen e Qendrave Kulturore të Kosovës në disa vende të botës ku ka përqendrim më të madh të mërgimtarëve tanë, ndërsa tha se, SHBA-të do të jenë ndër vendet e para ku do të hapet një qendre e tillë, e cila do ta shërbej si urë lidhëse në mes diasporës sonë dhe shtetit.
Nga ana e tyre, përfaqësues të shoqatave e asociacioneve shqiptaro-amerikane, vlerësuan lartë vendimin e Qeverisë së Kosovës për themelimin e Ministrisë së Diasporës duke theksuar se, tashmë ata do të kenë një adresë shtetërore për të koordinuar veprimet e tyre, aktivitetet kulturore, dhe e cila do të forcoj edhe më shumë lidhjet e tyre me atdheun.
Ata falënderuan ministrin Makolli për angazhimin e tij dhe të ministrisë që ai drejton, ndërsa hapjen e Qendrës Kulturore të Kosovës e vlerësuan të një rëndësie të veçantë, dhe kërkuan që kjo të ndodh sa më shpejt që të jetë e mundur.
Ministri i Diasporës, Ibrahim Makolli, në këtë takim ishte i shoqëruar edhe nga zëvendës ministri për Zhvillim Ekonomik, Ramadan Hasani, i cili tha se Qeveria e Kosovës është duke hartuar politika sa më të favorshme për investime në vend.
Në takim ishte e pranishme edhe konsullja e Republikës së Kosovës në Nju Jork, Arta Rama dhe Konsulli i Republikës së Shqipërisë, Dritan Mishto.
Gjatë vizitës në SHBA, Ministri i Diasporës, Ibrahim Makolli, do të marr pjesë edhe në Darkën Solemne të organizuar nga Federata Pan Shqiptare “Vatra” me rastin 99-të vjetorit të themelimit të saj dhe për nderë të festave të nëntorit.
E-Diaspora
-
Spanjë
Orkestra “Amadeus” triumfon në Spanjë, fiton çmimin kryesor “Grand Prix” Orkestra e Fëmijëve dhe të Rinjve “Amadeus” ka shënuar një sukses të jashtëzakonshëm në arenën ndërkombëtare,... -
Londër
Hapet shkolla e dytë shqipe në Manchester -
Presidentja Osmani i ndan mirënjohje gazetarit veteran, Rexhep Rifati -
Winterthur
“Ne dhe Ata” sonte në Winterthur, komedia që prek realitetin e mërgatës -
Ramë Lahaj: Mërgata jonë është pasqyra më e mirë e identitetit tonë
Jeta në Austri
-
Afër Pashkëve, 8,300 lepuj ngordhin në trafikun rrugor në Austrinë e Poshtme Rreth Pashkëve, sezoni i çiftëzimit të lepujve arrin kulmin. Në këtë fazë veçanërisht aktive, trafiku rrugor... -
Edhe Austria ndalon Rrjetet Sociale për fëmijët nën 14 vjeç -
Austri
Në Parlamentin e Austrisë, të premten mbahet konferenca „Kosova në BE“ -
Tragjedia e Vjenës: I lënduari është Nazmi Muharremi – flet vëllai që ia shpëtoi jetën -
Në Vjenë ndizen qirinj për viktimat e aksidentit tragjik











