Lajme

Luksemburgu mbështet ekonominë e Kosovës

Luksemburgu do të mbështesë aktivitete të ndryshme arsimore, shëndetësore dhe sociale në Kosovë

Kjo është bërë ditur pas nënshkrimit të marrëveshje të cilën sot e kanë  bërë Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj dhe  Marie-Josée Jacobs, Ministre e Familjes, Integrimeve, Bashkëpunimit dhe Veprimtarive Humanitare e Luksemburgut.

Hoxhaj e ka vlerësuar lart mbështetjen e ofruar për Kosovën nga Ministrja Jacobs.

Ai ka bërë të ditur se Marrëveshja e nënshkruar kap një vlerë prej 3.5 milionë euro.

 “Kjo marrëveshje, është përkrahur edhe nga “Caritas”-i i Luksemburgut në Kosovë, i cili do të mbështesë aktivitete të ndryshme arsimore, shëndetësore dhe sociale në Komunën e Ferizajt dhe komuna të tjera”, tha Hoxhaj njofton Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës.

Në anën tjetër, Ministrja, Marie-Josée Jacobs, ka shprehur bindjen se Marrëveshja e nënshkruar do t’i ndihmojë qytetarët e Republikës së Kosovës.

Ajo ka shprehur përkushtimin e Luksemburgut që të vazhdojë mbështetjen për zhvillimin ekonomik të Kosovës.

Ministri Hoxhaj do të takohet edhe me Ministrin e Punëve të Jashtme të Luksemburgut, Jean Asselborn, dhe me përfaqësues të tjerë të lartë të këtij shteti.