Lajme

LSDM mori mbi 50 mijë vota të shqiptarëve

LSDM ka fituar edhe në bastionet e ish-UÇK-së, në Tanushë e Haraçinë. Sipas rezultateve, LSDM nga vendbanimet shqiptare i ka marrë më shumës e 50 mijë vota

Rreth 50 mijë vota i ka marrë Lëvizja Social Demokratike e Maqedonisë (LSDM) nga lokalitetet shqiptar në zgjedhjet e të dielës. Duket se shqiptarët më shumë i kanë besuar liderit opozitar maqedonas, Zoran Zaev se sa liderëve politikë shqiptarë. Madje, Zaev ka fituar edhe në bastionet e ish UÇK-së, në Tanushë e Haraçinë.

LSDM ka arritur të marrë vota të shumta në vendbanimet e pastra shqiptare. Në Studeniçan, Zaev ka marrë 2515 vota dhe ka dalë partia e parë me vota të fituara në këtë vendbanim, shkruan gazeta KOHA.

Në Saraj, partia e Zaevit ka fituar 2951, ose partia e tretë pas BDI-së me 6602 dhe BESA me 3327 vota. Në Haraçinë, ashtu siç pritej, LSDM ka dalë partia me më shumë vota – 2052, ndërsa në Likovë 768 vota. Në Çair (edhe në pjesën e Njësisë 1 dhe në 2), LSDM ka arritur të marrë 6641 vota shqiptare.

Edhe në Çuçer Sandevë, ku bënë pjesa Tanusha, Bllaca, Breza, LSDM ka dalë partia e parë me 2.108 vota.

Vota shqiptare LSDM ka marrë edhe në Kumanovë, ku ka dalë partia e parë me 22.138 vota e pasuar nga VMRO me 22.652 dhe BESA me 4437.

Në Bogovinë të Tetovës, LSDM ka marrë 1044 vota, ndërsa në Zhelinë 387 vota. Në Vrapçishtë të Gostivarit, LSDM ka marrë 1345 vota, ndërsa në qytetin e Gostivarit ka dalë e dyta me 8288 vota, menjëherë pas BDI-së e cila fitoi 8444 vota.

LSDM kryeson edhe në qytetin e Strugës me 8244 vota, e pasuar nga VMRO me 6832 dhe “Aleanca për shqiptarët” me 5500 vota.

Dhe në bazë të kësaj llogari, LSDM nga vendbanimet shqiptare i ka marrë më shumës e 50 mijë vota, ose 7 mijë vota më pak se që ka marrë Lëvizja Besa e cila i ka siguruar 5 deputetë në Kuvendin e Maqedonisë.

Ndryshe, sipas votave të numëruara nga të dhënat zyrtare e KSHZ-së thonë se nga gjithsej 1.189.481 votues që kanë votuar, 37.812 fletëvotime janë të pavlershme. Numri i fletëvotimeve të pavlefshme është më i madh se numri i votave që i kanë marrë shtatë nga njëmbëdhjetë koalicionet që marrin pjesë në zgjedhje.