Sporte Luftarake
Loriana Kuka i jep fund karrierës: Faleminderit për medaljet e emocionet
Me paraqitjen në Lojërat Olimpike të Parisit, Loriana Kuka i ka dhënë fund karrierës në xhudo. Loriana, mbesa e kryemjeshtrit Driton Kuka, la jetën në Zvicër për t’iu përkushtuar karrierës së xhudos. Dhe vendimi doli i duhuri, përcjell albinfo.ch.
Ajo është prej sportisteve shqiptare më të mira në histori.
Ka fituar medalje të bronztë të botës në vitin 2019. Në Lojërat Evropiane në Minsk në vitin 2019, po ashtu fitoi medalje të bronztë. Gara e xhudos në Lojëra Evropiane ishte llogaritur edhe si Kampionat Evropian në këtë sport. Medalje të bronztë evropiane ka fituar edhe në vitin 2020. Pra i ka tri medalje nga ngjarjet madhore.
27-vjeçarja e ka edhe një medalje të artë në Lojërat Mesdhetare të vitit 2022, ndërsa në vitin 2018 kishte medalje të argjendtë në Lojëra Mesdhetare.
Ka medalje të bronztë në Masters, tri të bronzta në garat Grand Slam dhe tri të arta, dy të argjendta e dy të bronzta në garat e nivelit Grand Prix.
Pra karriera e Lorianës është shumë e suksesshme.
Ajo është kualifikuar dy herë në Lojëra Olimpike. Në Tokio ishte ndalur në luftën e parë, ndërsa të enjten në Paris garoi e lënduar. Por sërish arriti fitore impresive ndaj sllovenes Metka Lobnik. Ndaj saj realizoi hedhje të bukur për Ippon.
Në xhiron e dytë të kategorisë deri 78 kilogramë, Loriana e kishte përballë ukrainasen Yelyzaveta Lytvynenko. Ndaj saj zhvilloi luftë të fortë. Iu afrua pikës gjatë një përballjeje në dysheme. Por megjithatë ukrainasja shmangu mbërthimin. Ishte dëshmi që Loriana, për shkak të lëndimit, nuk e kishte forcën e zakonshme.
Në mes të luftës, Lytvynenko realizoi hedhje për uazari. Dhe kjo bëri dallimin. Deri në fund Loriana nuk ia doli të realizoi pikë dhe u eliminua.
Loriana pritet ta vazhdojë jetën në Zvicër, ndërsa kontributi i saj sportiv për vendin vlerësohet i madh. Ajo është vajza e Sylë Kukës, që kryemjeshtri Driton Kuka e vlerëson trajnerin më të rëndësishëm në karrierën e tij. Dhe nën drejtimin e kryemjeshtrit Kuka, Lori, siç njihet shkurt xhudistja, ka prekur nivelet e larta të sportit.
“La Zvicrën tash e tetë vjet për të arritur ëndrrat e saj për medalje elitare. Fitoi medalje në Kampionate Botërore e Evropiane. E deshi edhe medaljen olimpike, por fati nuk deshi. Erdhe nga Zvicra duke treguar se je gjaku ynë dhe deshe të bëjë krenare familjen, ekipin e kombin shqiptar. Dëshira jote e madhe ishte të arrije sukseset që i arrite për babin tënd, vëllain tim, Sylën, që me aq pasion e mbolli dashurinë për sportin e xhudos tek unë, tek Agroni dhe te mbarë familja. Falë teje vëlla, unë jam në xhudo. Falë teje, që ishte trajneri im dhe idoli im i jetës. Si axha yt, Lori, të dëshiroj fatin e botës tash e tutje, në rrugëtimin e ri jetësor. Faleminderit për krejt”, ka shkruar kryemjeshtri Kuka në postimin emocional.
Të tjera nga Sporte Luftarake
E-Diaspora
-
Japoni
Edisa Shoshi diplomon në Master në Universitetin e Tokios E reja kosovare përfundon me sukses studimet në Universitetin e Tokios, duke u shndërruar në një... -
Gjermani
I jepet sot lamtumira e fundit 17-vjeçarit nga Kosova që vdiq pas aksidentit në Gjermani -
Londër
Kushtet e pasigurta të punës, shkaku kryesor i vdekjes së 19-vjeçarit shqiptar në Angli -
Erdhi për pushime në Kosovë, mërgimtari vritet nga e dashura -
Gjermani
Gjermani: Ndërron jetë 3-vjeçari nga Kosova pas rënies në lum
Jeta në Austri
-
Tragjedia e Vjenës: I lënduari është Nazmi Muharremi – flet vëllai që ia shpëtoi jetën “Ndihmomë o vëlla se vdiqa”... -
Në Vjenë ndizen qirinj për viktimat e aksidentit tragjik -
Austri: Kosovarja shkakton aksident me makinë, lëndohet rëndë çiklistja -
Janë nisur drejt Kosovës trupat e viktimave nga aksidenti në Vjenë -
Austri: Dialektet do të mësohen në kurset e reja të integrimit












