Kultura
“Loja” nga Prishtina në Konferencën Botërore të Teatrove Laboratorike
Teatri Laborator “Loja”, përfaqësohej nga regjisori Bekim Lumi dhe nga dramaturgu e kritiku i teatrit, Arian Krasniqi

Gjatë këtyre ditëve, në organizim të Qendrës për Kërkime Performative (Center for Performance Research) dhe të Rrjetit të Teatrove Laboratorike (Laboratory Theatre Network), në Universitetin e Falmouth-it (Falmouth / Cornwall), në Angli (Mbretërinë e Bashkuar), u mbajt Konferenca Ndërkombëtare e Teatrove Laboratorike me titullin “Arritjet e mëdha në dhoma të vogla: 100 vjetët e guximit”.
Kjo konferencë, e cila kishte karakter debatues dhe prezantues, mblodhi rreth vetes disa nga teatrot më të njohura laboratorike evropiane dhe amerikane, të cilat në punën e tyre artistike identifikohen me kërkimin, ushtrimet dhe, përgjithësisht, me krijimin dhe procesin laboratorik. Në këtë konferencë, në cilësinë e të vetmit teatër laborator nga Kosova, mori pjesë edhe Teatri Laborator “Loja”, i cili përfaqësohej nga regjisori Bekim Lumi dhe nga dramaturgu e kritiku i teatrit, Arian Krasniqi, thuhet në një komunikatë të teatrit “Loja”.
Krahas organizatorëve kryesorë, partnerë dhe pjesëmarrës të kësaj konference ishin edhe Instituti Grotowski (Poloni), Odin Teatret (Danimarkë) i regjisorit të mirënjohur botëror Eugenio Barba dhe Instituti Hemisferik i Amerikës Latine, ndërkohë që në të merrnin pjesë edhe teatrot laboratorike të tilla si: The Quick and the Dead (Angli / SHBA), American – Russian Theatre Ensemble Laboratory (SHBA), Double Edge Theatre (SHBA), Moon Fool (Angli), Theaterlabor Bielefeld (Gjermani), SITI Company New York (USA), Urban Research Theater (Angli), si dhe disa nga përfaqësuesit e botës akademike, artistike, shkencore dhe universitare nga Britania e Madhe, SHBA, Polonia etj., thuhet më tutje në komunikatë.
Në këtë konferencë, në njërën nga seancat e saj treditore, në rrafshin teorik dhe praktik, para një audience artistike dhe akademike elitare, u prezantua edhe Teatri Laborator “Loja”. Fillimisht, për punën krijuese dhe artistike të këtij teatri në kontekstin laboratorik dhe eksperimental, foli regjisori Bekim Lumi, i cili bëri një paraqitje të detajuar të kohës e të rrethanave në të cilat ai e krijoi këtë teatër, si dhe të mënyrës, qasjes dhe metodologjisë së tij kreative – regjisoriale. Rreth fizionomisë së Teatrit Laborator “Loja”, të revistës për teatër “Loja” dhe për profilin artistik të regjisorit Bekim Lumi foli edhe dramaturgu dhe kritiku i teatrit, Arian Krasniqi.
Puna krijuese – artistike e regjisorit Bekim Lumi në kuadër të Teatrit Laborator “Loja” u komentua edhe nga regjisori anglez dhe Drejtori Artistik i Qendrës për Kërkime Performative (Center for Performance Research), profesori universitar Richard Gough, i cili u përqendrua në përshtypjet e tij mbi shfaqjen “Këmisha e gjakut” gjatë vizitës së tij në Kosovë para disa vitesh. Ai foli me tone të larta vlerësuese dhe jashtëzakonisht admiruese për nivelin artistik dhe për aspekte të ndryshme formale e ideo – estetike të kësaj shfaqjeje.
Më tutje, Teatri Laborator “Loja” u prezantua edhe përmes sekuencave të ndryshme video-filmike nga shfaqjet e tij “Këmisha e gjakut” dhe “Dilerat”, si dhe me disa sekuenca të tjera nga procesi kërkimor dhe kreativ në një nga projektet e tij të tanishme në punë e sipër. Prezentimi i gjithanshëm profesional i Teatrit Laborator “Loja” ngjalli interesimin dhe kurreshtjen e pjesëmarrësve të kësaj konference, të cilët, përveç komenteve të ndryshme, parashtruan edhe pyetje të shumta.
Krahas prezantimit të fizionomisë dhe punës së teatrove laboratorike pjesëmarrëse, kjo konferencë u përqendrua edhe në çështje dhe tema të tjera me karakter teorik dhe praktik, të tilla si: “Riformatizimi i praktikës teatrore laboratorike”, “Këndvështrimi i përvojës krijuese të Jerzy Grotrowski-t në Britaninë e Madhe”, “Përpjekja për krijimin e një ombrelle të teatrove laboratorike”, “Analiza e manifesteve të ndryshme për performuesit dhe trajnimet teatrore të shekullit 21”, “Kontinuiteti, trashëgimia dhe përgjegjësia e Odin Teatret”, “Aventurat e hershme të teatrit laboratorik britanik”, “Kërkimi drejt diversitetit”, “Praktikat kërkimore si qëllim i trajnimit”, “Roli, qëllimi dhe profili i Institutit Grotowski”, “Dimensioni social, politik dhe komunitar i teatrove laboratorike”, “E ardhmja e teatrove laboratorike” etj.
Në përmbyllje të Konferencës Ndërkombëtare të Teatrove Laboratorike, pjesëmarrësit e saj u pajtuan që, përmes organizimit të ngjarjeve të ndryshme, të tilla si: takimet, konferencat, festivalet, rezidencat artistike, koproduksionet, punëtoritë me karakter profesional etj., të bashkëveprojnë për konsolidimin e mëtutjeshëm, rritjen, zgjerimin dhe promovimin e rrjetit të teatrove laboratorike. Përfaqësuesit e Teatrit Laborator “Loja”, regjisori Bekim Lumi dhe dramaturgu e kritiku i teatrit, Arian Krasniqi, shprehën interesimin dhe gatishmërinë e tyre për organizimin e një konference të ngjashme në të ardhmen edhe në Kosovë, përfundon komunikata e teatrit “Loja” nga Prishtina..
Prezantim filmik i dy shfaqjeve nga Prishtina
Teatri Laborator “Loja” u prezantua edhe përmes sekuencave të ndryshme video-filmike nga shfaqjet e tij “Këmisha e gjakut” dhe “Dilerat”, si dhe me disa sekuenca të tjera nga procesi kërkimor dhe kreativ në një nga projektet e tij të tanishme në punë e sipër. Prezantimi i gjithanshëm profesional i Teatrit Laborator “Loja” ngjalli interesimin dhe kureshtjen e pjesëmarrësve të kësaj konference, të cilët, përveç komenteve të ndryshme, parashtruan edhe pyetje të shumta.
Të tjera nga Kultura
E-Diaspora
-
“Me zemër për Diasporën”, panairi i grave në Prishtinë sjell ngjyrat e traditës dhe fuqizimin ekonomik Ushqime tradicionale, veshje kombëtare, punime artizanale dhe produkte të freskëta vendore u prezantuan në panairin “Me...
-
Pranon se ka kultivuar kanabisin: “Kam menduar se është e ligjshme”, thotë shqiptari
-
Pritjet e qytetarëve për të dalë nga Kosova arrijnë deri në dy orë
-
Luanda Domi shpërblehet me çmimin ndërkombëtar në sigurinë kibernetike
-
Mërgimtarja nga Peja i sjell shoqet zvicerane në dasmë shqiptare në Kosovë
Jeta në Austri
-
Hendeku gjinor i pensioneve në Austri zvogëlohet pak Hendeku gjinor në pensionet e Austrisë mbetet në 39.7 përqind, duke u kushtuar grave 204 mijë...
-
Planet për të kufizuar çmimet e ushqimeve në Austri përballen me dyshime të mëdha
-
Fiona Kabashi diplomon në Universitetin Mjekësor të Vjenës
-
Probleme me pensione invaliditeti në Austri
-
Vjena hoqi 800 biçikleta të vjetra këtë vit