Lajme

Ligj për përdorimin e dronëve

Bashkimi Evropian po e shqyrton mundësinë që për çdo fluturake civile pa pilot si droni që u përdor në Beograd, të lëshohen certifikatë të posaçme

Droni (fluturakja) që valoi mbi studimin e Partizanit në Beograd me flamurin e Shqipërisë etnike, e cila më pas reflektoi në dhunë në ndeshjen Serbi-Shqipëri, e ka shtyrë Bashkimi Evropian që të shqyrtojë mundësinë për ta nxjerr një ligj për përdorimin e të gjitha fluturakeve pa pilot.

Sipas medieve kroate, BE po shqyrton mundësinë që për çdo fluturake civile pa pilot të lëshohen certifikatë të posaçme.

Dronët civilë në BE shfrytëzohen për mbikëqyrje të djegies së pyjeve, inspektim hekurudhash, spërkatje arash, ndërsa nuk është shënuar ndonjë rast që ato të jenë përdorur në ndeshje sportive.

“Për shkak të rregullativave fragmentare e të paqarta në nivel të shteteve kombëtare, Komisioni Evropian ka vendosur të nxjerrë ligj për përdorimin e dronëve në nivel të Bashkimit Evropian”, transmeton “Koha” duke iu referuar medieve në Zagreb.

Këshilli i Bashkimit Evropian për Trafik, ka biseduar për këtë çështje më 8 tetor dhe ka theksuar dëshirën që agjencia EASA të jetë e autorizuar për dhëniet certifikatash për përdorim civil të dronëve. Droni (kuadokopteri) i cili fluturoi në Beograd është prodhim DJ, që përdoret kryesisht për xhirim nga ajri. Një i tillë kushton prej 400 deri 700 euro.