Lajme

Lehtësira në shkollim për fëmijët e emigrantëve

Fëmijët e emigrantëve të kthyer këtë vit do të regjistrohen në shkollën që duan dhe jo si një vit më parë, në shkollat ku vendoste drejtoria arsimore

Periudha e verës ka sjellë një rritje të fluksit të emigrantëve të kthyer në Shqipëri. Kjo është shoqëruar me një fluks të lartë të nxënësve apo studentëve që duan të regjistrohen në shkollat apo fakultetet përkatëse në Shqipëri.

Por, ndryshe nga vitet e kaluara, kur këta të fundit duhet të prisnin me orë të tej zgjatura në dyert e drejtorive arsimore për të kryer një sërë procedurash për regjistrimin në shkollat përkatëse, sivjet sipas “Shekullit”  flitet për një lehtësim në shkollim.

Përveç njëvlershmërisë së dëftesave, proces ky që kryhet në Drejtorinë Arsimore, nxënësi duhet vetëm të shkojë të regjistrohet në shkollën që dëshiron të ndjekë.

Bazuar kjo në klasën përkatëse që do të caktojë për të një komision i ngritur posaçërisht. Specialistët e MASH sqarojnë se numri i aplikantëve përgjatë këtyre dy muajve ka qenë në rritje edhe për nxënësit që duan të vijojnë shkollimin në gjimnaze.

Kjo gjë ndodh edhe për arsyen se shumë familje që ishin në emigracion në Greqi apo Itali janë kthyer për shkak të krizës ekonomike që ka kapluar vendet fqinje.

Për këtë, Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka dhënë një urdhër që të gjithë nxënësit e arsimit parauniversitar, në çfarëdolloj kohe të vijnë në shtetin mëmë të kenë mundësi të regjistrohen në klasën përkatëse në shkollën që ata zgjedhin.

Por, kjo mënyrë nuk lehtëson më pak plotësimin e procedurave me anë të cilave nxënësit regjistrohen në shkolla.

Detyra e pranimit të emigrantëve të ardhur, këtë vit iu ka kaluar drejtorive të shkollave.

Në çfarëdo periudhe të vitit, nxënësit shqiptarë të ardhur nga jashtë kanë të drejtë të regjistrohen ku dhe kur të duan.

Është kompetencë e Drejtorisë Arsimore që mbi bazën e dokumentacionit që dorëzon vetë nxënësi të kryejë regjistrimin e nxënësit në shkollën pritëse, në bazë të planit të saj mësimor.

Edhe për ata që kanë përfunduar arsimin e lartë jashtë vendit parashikohet dorëzimi i një sërë dokumenteve për të kryer konvertimin e diplomës, qoftë për qëllimi studimi të mëtejshëm, qoftë edhe për punësim në Shqipëri.

 Për këtë, pranë Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës është ngritur një komision i posaçëm që kryen njëvlershmërinë e diplomave të nxënësve të ardhur nga jashtë vendit dhe që duan të vijojnë studimet në Shqipëri.

Pasi të ketë bërë dorëzimin e dokumenteve të duhura, aplikanti duhet të presë një afat kohor rreth 45 ditor për konvertimin e diplomës.

Ky afat i shkurtër kohor është vënë me qëllim që t’u vihet në ndihmë të rinjve të sapo kthyer që duan të vijojnë studimet në Shqipëri.

 Pra, kërkohet një verifikim nga institucioni që ka lëshuar diplomën, me qëllim që të shmanget çdo lloj dokumenti që nuk është autentik.

Përveç të rinjve që kanë jetuar dhe janë shkolluar në shtetet e huaja, ka edhe nga ata të rinj që kanë shkuar jashtë vendit posaçërisht për të studiuar. Kështu, ka nga ata që kanë kryer një cikël studimi atje dhe kanë dëshirë që ciklin tjetër të studimeve apo punësimin ta vazhdojnë në vendlindje.

 Edhe për këtë, ata duhet të paraqesin të njëjtin dokumentacion për të kryer nostrifikimin e diplomave të tyre.

Personat e interesuar për të gjetur punësim në Shqipëri, pas përfundimit të studimeve në një shtet të huaj duhet të dorëzojnë disa dokumente pranë zyrës së ngritur në Ministrisë së Arsimit të Shqipërisë.

Formularin e aplikimit, kopjen e dokumentit të identifikimit dhe kopjen e përkthyer dhe të noterizuar të diplomës që vërteton përfundimin e arsimit të lartë në shtetin përkatës.

Kuptohet që procesi i nostrfikimit të diplomës është një proces i cili jo vetëm që kërkon kohë, por ka edhe një kosto të caktuar.

Ministria e Arsimit e Shqipërisë ka vënë një tarifë prej 2500 lekësh të reja për të gjithë ata që duan të njehsojnë diplomën e marrë në një vend të huaj.

Vlen të theksohet se pa  nostrifikimin e diplomës nuk bëhet njohja në asnjë nga institucionet shtetërore në Shqipëri, qoftë për të vijuar studimet e mëtejmë apo edhe për një vend pune në administratën shtetërore.