Kosova
LDK, në proces të negociatave për finalizimin e marrëveshjeve
Lidhja Demokratike e Kosovës po vazhdon finalizimin e marrëveshjeve me disa parti më të vogla, në përpjekje të përmbylljes së procesit të formimit të qeverisë së re brenda pak ditësh në Kuvend.

Pas marrëveshjes me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës dhe Listën Serbe, LDK i përmbylli me marrëveshje edhe negociatat për koalicion me Nismën Socialdemokrate.
Bazuar në këtë marrëveshje, Nisma Socialdemokrate do të ketë një post të zëvendëskryeministrit si dhe dy poste ministrore. Marrëveshjen e ka konfirmuar kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, i cili tha se me rëndësi është që Kosova ta ketë një qeveri me funksione të plota.
“Kosova ka nevojë për një qeveri që e mbikëqyr dhe i përgjigjet Kuvendit, një qeveri që mund të funksionojë sipas ligjeve”, tha Limaj.
Ndërkohë, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, tha se pa përmbylljen e marrëveshjeve me të gjitha partitë që synohet formimi i qeverisë, nuk do t’i dërgohet për mandatim presidentit të Kosovës emri i Avdullah Hotit, kandidatit të LDK-së për kryeministër.
“Varet prej asaj se si përmbyllet. Nuk mund të them tash asgjë, sepse Hoti i ka drejtuar negociatat. Në momentin që përmbyllet, ne nuk kemi asnjë arsye që të mos e prezantojmë marrëveshjen”, tha Mustafa.
Mustafa i përgjigjet Thaçit: Shumë shpejt e dërgojmë emrin e kandidatit për kryeministër
Synimi i LDK-së është që shumë shpejt t’i përmbyllë negociatat edhe me partitë nga radhët e komuniteteve joserbe.
Kurse mbetet ende në dilemë çështja e negociatave me Aleancën Kosova e Re, për faktin se lideri i saj, Behgjet Pacolli, ndodhet jashtë Kosovës. Mustafa tha se në momentin që vendoset një komunikim më i mirë me Pacollin, mund të pritet finalizimi i marrëveshjes edhe me këtë parti politike.
“Sa i përket AKR-së, ne jemi marrë vesh që do ta kenë vendin e vet në qeveri, meqenëse Pacolli nuk është i qasshëm, nuk kemi arritur të ulemi, por kemi komunikuar me të. Mbetet më vonë ta zgjedhim këtë me të, edhe sa i përket ministrisë që ata e kërkojnë”, tha Mustafa.
Të mërkurën LDK-ja finalizoi marrëveshjen me AAK-në e Ramush Haradinajt. Bazuar në atë marrëveshje, AAK merr një pozitë të zëvendëskryeministrit të parë në qeveri si dhe katër poste ministrore.
Po ashtu, edhe në bazë të marrëveshjes me Listën Serbe, kjo e fundit merr një post të zëvendëskryeministrit dhe dy poste ministrore.
LDK, ndërkaq deri më tani ka konfirmuar se përveç pozitës së kryeministrit, do të ketë edhe një pozitë të zëvendëskryeministrit dhe shtatë pozita të ministrave.
Mbetet të shihet ndërkaq se sa ministri dhe çfarë pozita do t’u ndahen AKR-së dhe pakicave joserbe.
Ndërsa negociatat e LDK-së me partitë më të vogla politike po vazhdojnë, kryeministri në detyrë, Albin Kurti dhe partia që ai drejton, Lëvizja Vetëvendosje, po paralajmërojnë se do ta sfidojnë formimin e kësaj qeverie duke ngritur lëndën në Gjykatën Kushtetuese. Sipas interpretimit të Kurtit dhe Vetëvendosjes, pas mocionit të mosbesimit të votuar në kuvend më 25 mars, vendi duhet të shkojë në zgjedhje sapo të përfundojë pandemia e koronavirusit. Çdo opsion i formimit të qeverisë duke e anashkaluar Vetëvendosjen si fituese e zgjedhjeve, sipas Kurtit, nënkupton shkelje të Kushtetutës.
Marrë parasysh faktin se procesi i formimit të qeverisë duhet të kalojë përmes Kuvendit të Kosovës, kryetarja e këtij institucioni, Vjosa Osmani ka biseduar në lidhje me këtë çështje dhe problematikën e zbatimit të kushtetutshmërisë me ambasadorët e pesë vendeve të Quint-it dhe përfaqësuesen e BE-së në Kosovë.
“Osmani i informoi ata për hapat që do t’i ndërmarrë ajo si kryetare e kuvendit për mbrojtjen e integritetit institucional të kuvendit, mbrojtjen e stabilitetit dhe të demokracisë në vend, si dhe respektimin e Gjykatës Kushtetuese si e vetmja instancë e cila mund ta interpretojë kushtetutshmërinë e veprimeve të institucioneve”, thuhet në një komunikatën të lëshuar nga Zyra për Media e Kuvendit të Kosovës.
Më 22 prill, presidenti Hashim Thaçi kishte konstatuar se Lëvizja Vetëvendosje, si fituese e zgjedhjeve, përkundër pesë thirrjeve të tij, nuk e ka shfrytëzuar mundësinë kushtetuese për propozimin e mandatarit, kështu që këtë të drejtë ia ka kaluar LDK-së.
Për zgjedhjen e qeverisë, nevojiten të paktën 61 vota për të deputetëve. Aktualisht, LDK besohet se nuk mund të llogarisë në 24 votat e Partisë Demokratike të Kosovës, në 30 votat e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje si dhe në një votë nga Partia e Re Demokratike nga komuniteti boshnjak.
Njohësit e zhvillimeve politike kanë paralajmëruar po ashtu se të paktën tre deputetë të LDK-së mund të mos e mbështesin qeverinë e re, marrë parasysh mospajtimet e tyre me ngritjen e mocionit të mosbesimit më 25 mars.
Të ngjashme
Të tjera nga Kosova
E-Diaspora
-
Burgim i përjetshëm për shqiptarin, ka vrarë bashkatdhetarin e tij Në shkurt të vitit 2024, personi tashmë i vrarë ia kishte kafshuar veshin e djathtë të...
-
Si mund të votojnë shqiptarët jashtë vendit për Shqipërinë në Eurovision 2025?
-
Nga Suedia, Rina Januzi nominohet në “Netët e Klipit Shqiptar 2025”
-
Dega e LDK-së në Zvicër shënoi 35-vjetorin e saj
-
Gjenevë: Anjeza Maqani diplomon me dy tituj në Universitetin Webster
Jeta në Austri
-
Pesë mënyra se si mund të kurseni para kur blini ushqim në Austri Nga pazaret e tregut te programet e besnikërisë së supermarketeve, ka shumë mënyra për t’i bërë...
-
Vjena sheh rritje 30% të rasteve të mbidozës së drogës tek adoleshentët
-
Gjërat që nuk mund t’i mbani në makinën tuaj në Austri
-
Austriakët arritën rekord prej 27.5 milionë udhëtime pushimesh
-
Domethënia e zgjedhjeve të Vjenës për të huajt, sezoni i alergjive dhe ngjarjet kryesore të javës në Austri