Kosova

LDK hap fushatën në Prishtinë, Vjosa Osmani: Po vjen ndryshimi i madh

Osmani është shprehur e bindur në fitoren e LDK-së

Partitë politike kosovare edhe zyrtarisht fillojnë me fushatën për zgjedhjet parlamentare, të cilat mbahen më 6 tetor. Lidhja Demokratike e Kosovës e ka hapur fushatën zyrtarisht në Prishtinë, në sheshin që mban e emrin e themeluesit të kësaj partie, Ibrahim Rugova.

Para mijëra simpatizantëve kandidatja nga Lidhja Demokratike e Kosovës për kryeministrise, Vjosa Osmani, ka thënë se është duke ardhur koha e ndryshimit, ku qytetarët do t’i thonë lamtumirë qeverisjes së keqe.

“LDK i beson lirisë si vlera më e madhe njerëzore, i beson njeriut të Kosovës, shtetit të Kosovës, të cilin duam ta ndërtojmë sipas vlerave demokratike. Ne jemi sot më të bashkuar se kurrë dhe më të vendosur se kurrë për fitoren e LDK-së. Jemi më të vendosur se kurrë për të vazhduar rrugën e shenjtë për Republikën tonë”.

Osmani është shrehur e bindur në fitoren e LDK-së.

“Jam sot këtu me zemrën plotë, me bindjen e thellë dhe besimin e pathyeshëm se nuk ka asgjë në botë që mund ta ndalë rrugën e fitores. Ne si popull kemi kaluar nëpër sfida të cilat i kemi tejkaluar falë vizionarit Ibrahim Rugova – si dhe falë sakrificës dhe luftës së popullit tonë për liri. Përkulem sot para sakrificës se familjes Adem Jashari si dhe para të gjithë heronjve të Kosovës”.

Sipas Osmanit, ora e ndryshimit të madh po vjen, pasi LDK në aleancë me qytetarët më 6 tetor do t’i thotë lamtumirë qeverisjes së keqe në vend.

“Ne sot dalim me një program që fokusohet në interesat e qytetarëve tanë. Ne dalim sot para jush me një ekip njerëzish të përkushtuar, të ndershëm dhe profesionistë. Programi ynë do t‘ia hapë vendit tonë dyert e mbyllura”. Republika e Kosovës nuk ka nevojë për një qeveri megalomane, e cila për fatin e keq të Kosovës do të kujtohet si qeveri e skandaleve”, ka përfunduar Osmani.

albinfo.ch