Kosova
Lansohet fushata në Kosovë: Festo me zemër, jo me armë
Mesazhi i zëvendësministrit të MPB-së - “Festo me zemër, jo me armë!”
Në mesin e gëzimeve që sjellin festat familjare dhe ahengjet tradicionale, shpeshherë harrohet një aspekt thelbësor: siguria. Për Republikën e Kosovës, siguria e qytetarëve të saj është ndër prioritetet më të larta, një përkushtim i përditshëm për të ndërtuar dhe ruajtur një ambient të sigurt për të gjithë, brenda dhe jashtë vendit.
Me këtë synim, Ministria e Punëve të Brendshme ka lansuar fushatën ndërgjegjësuese “Festo me zemër, jo me armë!” për të ngritur vetëdijen rreth rrezikut që sjell përdorimi i armëve të zjarrit, veçanërisht gjatë festave. Kjo fushatë synon të ndalë një praktikë të rrezikshme që, përkundër se shpesh konsiderohet pjesë e traditës, ka pasur pasoja të dhimbshme për shumë familje. Përmes kësaj nisme, qytetarët ftohen të festojnë me zemër e me dashuri, jo me armë. Përmes aktiviteteve të ndryshme, fushata synon të ndikojë në vetëdijen kolektive duke e kthyer fokusin te gëzimi i pastër, pa rrezik dhe pa pasoja.
Ky mesazh është i rëndësishëm edhe për bashkatdhetarët tanë në diasporë, të cilët, ndonëse jetojnë larg Kosovës, mbeten thellësisht të lidhur me vendlindjen e tyre. Në shumë raste, ata janë pjesë e festave familjare kur kthehen në atdhe, ndaj ftesa për vetëdijesim dhe përgjegjësi u drejtohet edhe atyre. Me ndikimin e tyre në familje, lagje e komunitet, ata mund të jenë promotorë të sjelljes së re dhe shembull për të tjerët.
Qasja e fushatës përfshin disa objektiva kyçe:
• ndërgjegjësimin e publikut për rreziqet që sjell përdorimi i armëve;
• nxitjen e bashkëpunimit qytetar për të raportuar rastet e të shtënave me armë;
• forcimin e partneritetit me komunitetin, përfshirë organizatat lokale, bashkësitë fetare, mediat, gastronominë dhe shoqërinë civile, për të krijuar një front të përbashkët kundër kësaj dukurie.
Synimi i MPB-së dhe agjencive të saj është i qartë: të zvogëlohet numri i incidenteve me armë gjatë festave dhe të ndërtohet një kulturë e përgjegjshme dhe e sigurt për të gjithë qytetarët tanë.
Aktivitetet e fushatës janë mbështetur nga UNDP-ja dhe fondi i mirëbesimit MPTF, respektivisht nga Gjermania, Suedia, Holanda, Franca, Mbretëria e Bashkuar, Norvegjia dhe BE. Me qëllim që të gjitha mesazhet tona të jenë, përveç informuese, edukative dhe paralajmëruese, edhe kreative e origjinale, kompania zvicerane-kosovare Add-ing Sàrl nga Gjeneva na ka ndihmuar me ekspertizën e saj si dhe me komunikimin e shkëlqyeshëm dhe këshillimin gjatë tërë pjesës parapërgatitore.
Blerim Gashani – zëvendësministri i MPB-së
“Festo me zemër, jo me armë!” nuk është vetëm një slogan , është një thirrje për reflektim, për respekt ndaj jetës dhe për ndërtimin e një shoqërie ku gëzimi nuk ka nevojë të shprehet me rrezik. Është një mesazh që tejkalon kufijtë dhe që duhet të përqafohet nga të gjithë qytatarët tanë, kudo që ndodhen.
E-Diaspora
-
Mbi 18 mijë votues nga Zvicra për zgjedhjet në Kosovë Mërgata kosovare në Zvicër po dëshmon edhe këtë herë interes të lartë për procesin zgjedhor në... -
Leyla Ibrahimi-Salahi uron udhëtarët: “Na pret një 2026 plot risi” -
Traditë shqiptare e Krishtlindjes që ndriçon një lagje zvicerane -
Fehmi Mahalla: Nga Ferizaj në Lozanë, kampion dhe trajner i kampionëve -
Studentët shqiptarë në Zvicër në takim me Ambasadën e Shqipërisë në Bernë për Ditën Kombëtare të Diasporës
Jeta në Austri
-
Sulmohet me armë xhamia e shqiptarëve në Austri Mbrëmjen e kaluar, rreth orës 23:55, persona të panjohur kanë sulmuar hyrjen e xhamisë shqiptare në... -
Trump dëshiron ta shkëpusë Austrinë nga BE-ja -
Austria do të vazhdojë angazhimin e saj në KFOR, deri në 600 ushtarë në vitin 2026 -
“Varg e Vi” me projekt në Vjenë -
Policia bastisë shtëpinë e 46 vjeçarit në Austri, zbuluan simbole naziste











