Kosova

Lajçak: Nuk është koha për ta hapur urën e Ibrit

Në kuadër të Forumit të Delphit në Greqi, të premten, Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun, Kosovë-Serbi, Mirsolav Lajçak ka komentuar vendimin e Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut për ta hapur për qarkullim urën mbi lumin Ibër.

Ai ka thënë që tash nuk është koha e duhur për ta bërë një gjë të tillë. “Përderisa flasim, në Mitrovicë ka kërkesë për ta hapur urën dhe atmosfera dukshëm s’është e duhura për këtë. Dua ta shfrytëzoj këtë panel që të dërgoj mesazh se kjo është platforma e duhur (për dialogun), ky plan është fitore e dyfishtë, ka shumë përfitime për të dyja palët dhe duhet të respektohen vijat e kuqe”, ka thënë Lajçak duke iu referuar Marrëveshjes së Brukselit dhe Ohrit, përcjellë albinfo.ch.

Sipas tij, zgjidhja e çështjes Kosovë-Serbi është ndër sfidat më strategjike, pasi ka thënë se shqiptarët dhe serbët jetojnë në tërë rajonin. Ai ka thënë se Marrëveshja e Brukselit dhe e Ohrit ka qenë propozim për ta ndryshuar dinamikën e procesit. “Kemi një rrugë drejt normalizimit dhe fokusi duhet të jetë implementimi”, shkruan koha.net.