Kosova

Lajçak dërgon mesazh pak orë para takimit në Bruksel

Pak para takimit, emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka dërguar edhe një mesazh për palët.

Sipas tij, drafti i statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, i hartuar nga ekipi menaxhues, duhet të pranohet nga palët dhe në përputhje me standardet evropiane, shkruan KlanKosova.

“Së fundi, duhet të kemi një statut të pranueshëm për të dyja palët, si për Kosovën, ashtu edhe për Serbinë, në përputhje me standardet evropiane. Ky është hapi i parë i rëndësishëm”, tha Lajçak për agjencinë kroate të lajmeve “Hina”, përcjell albinfo.ch.

Lajçak shtoi Asociacioni nuk është diçka e imponuar, por për të është rënë dakord në vitin 2013 dhe se sipas tij, është e rëndësishme që çdo zgjidhje të jetë evropiane.

Në orën 18:00 nis takimi mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me ndërmjetësim të shefit të diplomacisë evropiane, Josep Borrel dhe të dërguarit të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.