Lajme

Kuzhina shqiptare në qendër të festimeve frankofone në Suedi

Ambasada e Shqipërisë prezanton traditat kulinarie në Muajin e Frankofonisë

Në kuadër të festimeve të Muajit të Frankofonisë, Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Suedi i prezantoi publikut lokal një gamë të pasur të kuzhinës shqiptare, gjatë një buffeti të organizuar nga ambasadat e ndryshme në Stokholm, transmeton albinfo.ch.

Pas ceremonisë hapëse, ku mori pjesë edhe Ngarkuari me Punë, Eno Çollaku, Ambasada ofroi pjata tradicionale dhe ëmbëlsira të shijshme, të cilat u pritën me shumë interes dhe vlerësime maksimale nga vizitorët e shumtë të stendës kombëtare.

Një falënderim i veçantë shkon për CNVP Foundation dhe kompanitë shqiptare Gjedra dhe BioAlpina, të cilët përmes produkteve të tyre bimore dhe medicinale kontribuan në ngrohjen e mbrëmjes dhe të vizitorëve, të cilët vlerësuan maksimalisht cilësinë e këtyre produkteve shqiptare.

Ky aktivitet shënon një hap të rëndësishëm në promovimin e kulturës dhe traditave shqiptare jashtë vendit, duke forcuar lidhjet kulturore dhe diplomatike me vendet frankofone./Albinfo.ch

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme – Republika e Shqipërisë