Kosova

Kuvendi i Shqiptarëve të Zvicrës, një “organizatë çati” e komunitetit

“Qëllimi kryesor i Kuvendit është mbrojtja e interesave të komunitetit shqiptar në Zvicër, sidomos përmes reagimeve publike, kur preket imazhi i komunitetit”

Kuvendi i Shqiptarëve të Zvicrës është një organizatë e krijuar me synimin për të qenë një subjekt “çati” që do të bënte përfaqësimin e komunitetit të shqiptarëve në këtë vend, duke i ofruar një zë të përbashkët dhe të koordinuar në mbrojtjen e interesave të tyre.

Se si ka rrjedhur puna e Kuvendit që nga themelimi deri më sot, cilat kanë qenë objektivat e tij dhe metodat e punës për arritjen e tyre, ku e sheh KSHZ veten në të ardhmen dhe çështje të tjera, për albinfo.ch flet kryetari i Kuvendit të Shqiptarëve të Zvicrës. Orhan Spahiu.

Kuvendi Shqiptar është themeluar në maj të vitit 2011. Themelimi i tij është iniciuar bashkërisht nga institucionet zvicerane dhe komuniteti shqiptar në Zvicër. Ndërsa qëllimi kryesor i Kuvendit është mbrojtja e interesave të komunitetit shqiptar në Zvicër, sidomos përmes reagimeve publike me komunikata për shtyp në rastet kur media zvicerane publikojnë shkrime që dëmtojnë imazhin e këtij komuniteti”, thotë z. Spahiu në lidhje me themelimin dhe misionin që Kuvendi i ka dhënë vetes.

Synimet dhe veprimet

Por në cilat raste dhe me cilat pretekste aktivizohet KSHZ? “Kryesisht në mbrojtjen e interesave përmes reagimeve publike në media. Reagimet tona mund të gjenden në faqen tonë në Facebook ose duke kërkuar në Google në gjuhën shqipe dhe gjermane. Gjithashtu jemi aktivë edhe në fushën e kulturës dhe arsimit. Në katër vitet e fundit kemi organizuar një javë dhe dy fundjava kulturore, si dhe kemi zhvilluar projekte arsimore të rëndësishme”, përgjigjet ai.

Në 14 vite punë, KSHZ ka zhvilluar shumë aktivitete dhe ka lënë vulën e vet në jetën e komunitetit të këtushëm shqiptar. Në këtë kontekst, z. Spahiu veçon disa prej tyre. “Që nga themelimi, Kuvendi ka kontribuar në mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në Zvicër dhe në vendet e origjinës. Kemi ndërmarrë aksione kundër diskriminimit, si në rastin e ekstradimit të Shemsi Nuhiut, ku përmes një peticioni me mbi 5,200 nënshkrime kërkuam nga autoritetet zvicerane të përcjellin procesin dhe kushtet e paraburgimit në Serbi.

Gjithashtu kemi reaguar kundër rasteve të diskriminimit si ai në lidhje me “kartonin e gjelbër”, përmes një peticioni me organizata tjera shqiptare etj.
Në aspektin kulturor, kemi marrë pjesë në ekspozitën “BESA” që përkujtonte dhe vlerësonte shpëtimin e hebrenjve nga shqiptarët gjatë Luftës së Dytë Botërore.

“Tutor#shqip”, një projekt për ngritjen e nivelit arsimor të nxënësve shqiptarë

Një nga projektet tona më të rëndësishme është “Tutor#shqip”, një iniciativë që ndihmon nxënësit shqiptarë në shkollat zvicerane të përmirësojnë aftësitë e tyre gjuhësore dhe shkollore. Projekti po zgjerohet edhe në kantone të tjera dhe ka sjellë rezultate shumë pozitive”, shton kryetari i KSHZ.

Por, kush është pjesë e KSHZ-së, kush e drejton atë dhe si bëhet përtëritja e anëtarësisë? “Aktualisht, kryesia e Kuvendit përbëhet nga 18 persona aktivë. Në mbledhjen e fundit, na janë bashkuar edhe disa anëtarë të rinj. Anëtarësia është e hapur për të gjithë dhe çdo kush që dëshiron të përfshihet mund të marrë pjesë në mbledhje dhe të votojë apo të zgjidhet.

Të rinjtë që janë bashkuar me Kuvendin janë vetë-iniciuar pasi kanë ndjekur aktivitetet tona. Nuk ka qenë e nevojshme t’i bindim – ata janë bashkuar vetë me dëshirë”, thekson z. Spahiu.

Ai shton se aktualisht KSHZ nuk ka sfida të mëdha në funksionim. Koha e investuar ndahet në grupe pune si: media, kulturë dhe “Tutor#shqip”. Organizimi është funksional dhe efektiv. Ndërsa duke folur për projektet që i konsiderojnë si arritje më të mëdha të Kuvendit, kryetari Spahiu thotë se “Projekti “Tutor#shqip” është një ndër më të suksesshmit. Ai ka ndihmuar nxënësit shqiptarë të përmirësojnë notat dhe shprehjen gjuhësore. Ky projekt ndikon drejtpërdrejt në të ardhmen e komunitetit, si në aspektin arsimor, ashtu edhe atë identitar e kulturor”.

Bashkëpunim i mirë me shoqatat shqiptare dhe me institucionet zvicerane

Bashkëpunimi me shoqatat tjera dhe me institucionet e vendit ku zhvillon veprimtarinë e tij KSHZ është një domosdoshmëri. Kështu përgjigjet z. Spahiu lidhur me këtë segment pune: “Me institucionet zvicerane bashkëpunojmë përmes kërkesave me shkrim dhe kontakteve direkte. Me organizata shqiptare bashkëpunojmë në projekte të përbashkëta si “Tutor#shqip” me LAPSH-in, ose në organizimin e javëve kulturore me shoqata të ndryshme. Me institucionet në vendet e origjinës nuk kemi bashkëpunime të strukturuara”

.

Dhe, cila është perspektiva e punës së KSHZ, çfarë objektivash parasheh ai për një të ardhme? Për kryetarin Spahiu, ulja e nevojës për reagime në media është vetvetiu një tregues për përmirësimin e gjendjes së komunitetit, një trend që në të ardhmen pritet të përmirësohet. “Në krahasim me vitet e para të themelimit, sot kemi më pak nevojë për reagime në media, gjë që e shohim si shenjë pozitive. Shpresojmë që edhe në të ardhmen të mos ketë arsye për reagime, sepse kjo do të thotë se imazhi dhe pozita e shqiptarëve po përmirësohet”.

 

Shumë punë të mira bëhen edhe jashtë vëmendjes publike

Punët e mira nuk kanë nevojë gjithmonë të jenë publike. E rëndësishme është që të arrihet rezultati. Shumë nga aktivitetet tona bëhen jashtë vëmendjes publike, por me efekt konkret. Kushdo që dëshiron të bashkohet, është i mirëpritur të na kontaktojë në [email protected] ose përmes Facebook-ut.