Lajme

Kuvendi i Mitrovicës Veriore voton për rrënimin e murit

Emir Azemi, këshilltar komunal në Mitrovicën Veriore, ka sqaruar se këshilltarët shqiptarë kanë vendosur të votojnë pro kësaj pike, për shkak të ruajtjes së paqes dhe qetësisë në vend

Këshilltarët e Kuvendit Komunal të Mitrovicës Veriore kanë miratuar unanimisht të shtunën dy pikat e rendit të ditës, të cilat përfshijnë marrëveshjen e arritur mes Qeverisë së Kosovës dhe kryetarit të Mitrovicës veriore, Goran Rakiq, e që kanë të bëjnë me murin.

Rakiq me këtë rast ka thënë se ky është treguesi më i mirë që qytetarët e Mitrovicës Veriore pa dallim, por edhe të tjerët, të ulin tensionet dhe të bashkëjetojnë.

“Dua të porosis të gjithë të cilët jetojnë këtu, se kryeministri Vuçiq ka menduar në shqiptarët dhe serbët kur ka thënë se dëshirojnë paqe në këto hapësira, shkruan rtklive.com. Do të thotë prioriteti i tij është paqja dhe ka gjykuar lojërat me armë, sidomos kërcënimet të Njësisë Speciale Rosu, se do të ndërhyjë me forcë për ta rrënuar ndërtimin ilegal. A është përdorur kudo në Kosovë asistimi i Njësisë Speciale Rosu për të rrënuar një ndërtim ilegal”, ka thënë Rakiq.

Emir Azemi, këshilltar komunal në Mitrovicën Veriore, ka sqaruar se këshilltarët shqiptarë kanë vendosur të votojnë pro kësaj pike, për shkak të ruajtjes së paqes dhe qetësisë në vend.

“Për hir të paqes, stabilitetit dhe duke marrë parasysh se nuk mund të jemi kundër një marrëveshje që është nënshkruar nga Qeveria e Republikës së Kosovës, Ambasada amerikane, njëkohësisht përfaqësuesit e BE-së, të cilët kanë dhënë shumë që ky shtet të funksionalizimet dhe morëm një vendim të arsyeshëm me votu pro”, theksoi Azemi.

Ndryshe, sot kanë filluar punimet rreth sigurisë së lokacionit ku kanë me u zhvillu punimet, ndërsa nesër pritet rrënimi i murit.