Muzikë

Kushtrim Gashi sjell muzikën klasike shqiptare në Emmendingen

Badische Zeitung: Për Ansamblin Kamertal, Gashi ka bashkuar muzikantë shqiptarë; disa prej tyre i njeh nga studimet në Akademinë e Arteve në Prishtinë

Shoqata kulturore Die Sterne Kosovas (Yjet e Kosovës) fton në një koncert me muzikë shqiptare të dielën, më 8 shkurt, në ZfP Festhalle në Emmendingen. Kushtrim Gashi do të prezantojë Ansamblin Kamertal.

Shoqata e përmendur është themeluat në vitin 2008 në Emmendingen, ndërsa në vitin 2009 festoi për herë të parë përvjetorin e saj në Festhalle të Qendrës për Psikiatri (ZfP). Për kryetarin Tahir Shabani, fakti që koncerti i ansamblit të ri zhvillohet pikërisht në këtë vend, 17 vjet pas festës së parë të shoqatës, ka edhe një domethënie nostalgjike, transmeton albinfo.ch gazetën gjermane Badische Zeitung.

Kjo erdhi si rezultat i një zhvillimi të natyrshëm: dy vite më parë, Sonja Schieting, përgjegjëse për integrim në ZfP, kishte kontaktuar Shabanin – i cili gjithashtu punon aty – për një program kulturor për punonjësit. Planifikimet kishin nisur. Më pas erdhi kërkesa nga ansambli i ri. Për Tahir Shabanin, kjo ishte një mundësi e shkëlqyer për të sjellë një ansambël profesionist, i cili do të interpretojë muzikë klasike shqiptare, siç tregon ai me entuziazëm.

Ansambli është themeluar tre muaj më parë nga kompozitori dhe dirigjenti Kushtrim Gashi. Ai nuk është i panjohur në Emmendingen: së fundmi, në nëntor 2024, ai ishte mysafir në Steinhalle me Orkestrën Rinore Simfonike të Kosovës, me rreth 40 anëtarë.

Për Ansamblin Kamertal, Gashi ka bashkuar muzikante dhe muzikantë shqiptarë; disa prej tyre i njeh nga studimet në Akademinë e Arteve në Prishtinë. Shumica jetojnë sot në rajonin e Darmstadt-it, ndërsa Artida Bakija vjen nga Zvicra.

Vetë Gashi jeton që nga viti 2011 në Darmstadt, ku ka studiuar edhe për kompozim. Sipas Gashit, muzika dhe arti krijojnë ura lidhëse – dhe pikërisht kjo e lidh atë me Tahir Shabanin. Që nga viti 2010, Shabani ka organizuar për Die Sterne Kosovas ekspozita të artistëve figurativë; e para u mbajt në Fondacionin Metzger-Gutjahr.

Artistët pjesëmarrës fillimisht ishin pak të njohur – kjo ka ndryshuar me kalimin e kohës: u zhvilluan ekspozita të tjera, edhe në bashkëpunim me artistë vendas.

Një efekt të ngjashëm, Shabani e dëshiron edhe për muzikantet dhe muzikantët shqiptarë.

Ata që kanë ndjekur koncertin e Orkestrës Rinore mund të gëzohen për një rikthim të veprave të kompozitorëve shqiptarë; atëherë programi përbëhej rreth 60 për qind nga muzikë shqiptare, ndërsa pjesa tjetër ishte muzikë gjermane dhe ndërkombëtare, përcjell albinfo.ch. Publiku, megjithatë, kërkoi më shumë muzikë klasike shqiptare, siç tregon Shabani.

Kësaj dëshire tani i përgjigjet Ansambli Kamertal. Megjithatë, në program është përfshirë edhe një kompozitor gjerman, Johannes Brahms – Vallja Hungareze nr. 5, plot energji, përshtatet në mënyrë të përkryer me veprat e dhjetë kompozitorëve shqiptarë të shekullit XX.

Ansambli përbëhet nga: Delina Hajra Gashi, soprano Kelvina Karaj, violinë Fidan Osmani, klarinetë Endrit Berisha, violonçel Artida Bakija, flaut dhe okarinë Kushtrim Gashi, drejtues i ansamblit dhe piano. Koncerti do të mbahet të dielën, më 8 shkurt, duke filluar nga ora 13:00, në Festhalle të Qendrës Psikiatrike në Emmendingen.

Kjo orë është zgjedhur enkas për t’u dhënë mundësi pjesëmarrjeje edhe familjeve me fëmijë të vegjël. Pas një pauze të shkurtër, në ora 14:30 do të performojë grupi i vallëzimit për fëmijë i shoqatës Die Sterne Kosovas.

Individët dhe përfaqësuesit e mëposhtëm kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre në eventin në ZfP Festhalle më 8 shkurt 2026: Z. Joachim Saar, Zëvendëskryetar Bashkie; Z. Martin Horn, Kryetar Bashkie i Freiburgut; Znj. Donika Gërvalla-Schwarz, Ministre e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës; Stefanie Wernet, kandidate e CDU-së për parlamentin e shtetit – zona zgjedhore Emmendingen; dhe Ardian Krasniqi, boksier profesionist gjerman i peshave të lehta, kampion në fuqi i WBO-së në kategorinë ndërkontinentale, aktualisht i renditur i 11-ti në renditjen botërore të WBO-së.

Më pas do të ketë edhe shërbim ushqimi dhe pije. Hyrja është falas, ndërsa donacionet janë të mirëpritura. Nëse ka ende vende të lira, edhe mysafirët pa paralajmërim janë të mirseardhur