Lajme
Patrick Hässig: “Kush ka punuar gjithë jetën në Zvicër, duhet të mund ta marrë pensionin edhe në Kosovë”
Marrëdhëniet mes Zvicrës dhe Ballkanit Perëndimor nuk kufizohen vetëm në politikën e jashtme dhe atë të sigurisë. Ato prekin edhe çështje shumë konkrete të jetës së përditshme, siç janë pensionet.
Marrëveshjet për sigurimet shoqërore u mundësojnë personave që kanë punuar në Zvicër ta marrin pensionin e tyre edhe nëse pas pensionimit vendosin të jetojnë në Kosovë, Bosnjë e Hercegovinë apo Shqipëri.
Deputeti i Partisë së Gjelbër Liberale (GLP), Patrick Hässig, është anëtar i Komisionit për Siguri Sociale dhe Shëndetësi të Këshillit Kombëtar (SGK-N). Krahas angazhimit politik, ai punon si infermier në urgjencën pediatrike.
Në këtë intervistë, Hässig flet për pensionet, rëndësinë e njerëzve me prejardhje nga Ballkani Perëndimor për sistemin shëndetësor zviceran, si dhe për iniciativën për neutralitetin.
Zoti Hässig, ju jeni anëtar i Komisionit për Siguri Sociale dhe Shëndetësi të Këshillit Kombëtar. Çfarë lidhjeje kanë temat që trajtoni në këtë komision me Ballkanin Perëndimor?
Më shumë sesa mund të mendohet në shikim të parë. Një shembull shumë konkret janë marrëveshjet tona për sigurimet shoqërore. Për shumë njerëz me prejardhje nga Ballkani Perëndimor është me rëndësi, për shembull, se çfarë ndodh me pensionin e tyre zviceran AHV ose IV nëse, pas pensionimit, dëshirojnë të kthehen në vendin e origjinës së familjes së tyre.
Pikërisht për këtë arsye Zvicra ka lidhur marrëveshje për sigurimet shoqërore me vende të ndryshme. Një marrëveshje e tillë me Kosovën është në fuqi që nga viti 2019, me Bosnjë e Hercegovinën që nga viti 2021 dhe me Shqipërinë që nga viti 2023. Falë këtyre marrëveshjeve, për shembull, shtetasit e Kosovës mund ta marrin pensionin e tyre zviceran edhe nëse vendbanimin e kanë në Kosovë.
Këto janë çështje shumë konkrete, të cilat kanë rëndësi të madhe për shumë familje që jetojnë në Zvicër.
Në këtë kontekst dëgjohet shpesh termi «eksporti i pensioneve». A është ky përkufizimi i duhur?
«Eksporti i pensioneve» tingëllon vërtet disi teknik dhe ndoshta jo edhe aq miqësor. Në fund të fundit, po flasim për njerëz që kanë punuar për shumë vite, apo madje gjatë gjithë jetës së tyre profesionale në Zvicër, dhe kanë paguar kontribute në sistemin tonë të sigurimeve shoqërore.
Për mua është vendimtare që të kemi rregulla të qarta dhe të besueshme. Kush ka punuar këtu dhe ka paguar kontributet e tij, duhet që në pleqëri t’i marrë edhe përfitimet që i takojnë. Dhe këta njerëz, në parim, duhet të kenë mundësinë të vendosin vetë se ku dëshirojnë t’i kalojnë vitet e pensionimit.
Për dikë që jetën profesionale e ka kaluar në Zvicër, por rrënjët familjare i ka, për shembull, në Kosovë, Bosnjë e Hercegovinë apo Shqipëri, kthimi atje pas pensionimit mund të jetë një dëshirë e madhe. Prandaj, fakti që kemi marrëveshje të tilla me këto vende është i rëndësishëm dhe i drejtë.
Krahas mandatit tuaj politik, ju punoni edhe si infermier në urgjencën pediatrike. Çfarë rëndësie kanë njerëzit me prejardhje nga Ballkani Perëndimor për sistemin shëndetësor të Zvicrës?
Këtë e përjetoj drejtpërdrejt çdo ditë në punën time. Në sistemin shëndetësor punojnë së bashku njerëz me histori dhe prejardhje nga më të ndryshmet – si infermierë e infermiere, mjekë e mjeke dhe në shumë profesione të tjera shëndetësore. Mes tyre ka edhe shumë njerëz me rrënjë nga Ballkani Perëndimor.
Shumë prej tyre prej kohësh janë shtetas zviceranë. Ata kanë lindur ose janë rritur këtu, punojnë këtu, kanë familjet e tyre këtu dhe marrin pjesë në mënyrë aktive në shoqërinë tonë dhe në proceset demokratike.
Sidomos në sektorin e shëndetësisë nuk duhet ta nënvlerësojmë kontributin që këta njerëz japin çdo ditë. Pa punonjësit e shumtë me prejardhje të ndryshme familjare, sistemi ynë shëndetësor nuk do të funksiononte ashtu siç e njohim sot. Për mua, kjo tregon në mënyrë shumë konkrete se sa ngushtë janë të lidhura tashmë shoqëritë tona.
Më 27 shtator votohet për iniciativën për neutralitetin. Çfarë lidhjeje ka kjo çështje me marrëdhëniet me Ballkanin Perëndimor?
Në fillim të angazhimit tim politik në Bernë kam qenë anëtar i Komisionit për Politikë të Sigurisë. Për këtë arsye e njoh edhe angazhimin e SWISSCOY-it në Kosovë dhe e konsideroj atë jashtëzakonisht të rëndësishëm.
Që nga viti 1999, Zvicra, përmes SWISSCOY-it, kontribuon për sigurinë dhe stabilitetin në Kosovë. Nga ky angazhim nuk përfiton vetëm Kosova. Një Ballkan Perëndimor i qëndrueshëm dhe paqësor është gjithashtu në interes të drejtpërdrejtë të Zvicrës. Shoqëritë tona janë të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën. Kur në Ballkanin Perëndimor ka paqe dhe stabilitet dhe rajoni zhvillohet pozitivisht në aspektin ekonomik, nga kjo përfitojmë edhe ne në Zvicër.
Sipas vlerësimit tim, nëse iniciativa për neutralitetin miratohet, angazhimi i SWISSCOY-it në Kosovë do të vihej seriozisht në rrezik. Do të më shqetësonte shumë nëse Zvicra, pas 27 vjetësh, do të detyrohej të tërhiqej nga një angazhim që ka dhënë një kontribut konkret për sigurinë dhe stabilitetin dhe, njëkohësisht, ka krijuar shumë besim mes Zvicrës dhe rajonit.
Për mua ka shumë arsye për ta kundërshtuar iniciativën për neutralitetin. Rrezikimi i angazhimit tonë për promovimin e paqes në Kosovë është njëra prej tyre. Edhe për këtë arsye, më 27 shtator do të votoj bindshëm «Jo».
Deputeti i Partisë së Gjelbër Liberale (GLP), Patrick Hässig, është anëtar i Komisionit për Siguri Sociale dhe Shëndetësi të Këshillit Kombëtar (SGK-N). Krahas angazhimit politik, ai punon si infermier në urgjencën pediatrike.
Lexoni po ashtu:
Jauslin: “Iniciativa e Neutralitetit rrezikon misionin zviceran në Kosovë”
Corina Gredig: “Iniciativa për neutralitetin do ta dobësonte politikën tonë të paqes”
“Ballkani Perëndimor dhe Zvicra janë prej kohësh të lidhur ngushtë mes vete”
Të ngjashme
Të tjera nga Lajme
E-Diaspora
-
Në një shkollë të Bronx-it, shqipja mësohet krahas anglishtes Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vizituar shkollën publike amerikane P.S. 108 Philip J. Abinanti në... -
Brajan Gruda e zgjedh Gjermaninë, përpara Shqipërisë -
Diaspora nga Zvicra, Gjermania e Austria në protesta në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së -
Edhe në Vjenë protestë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së -
Gjeneva miraton rezolutën “Shqipëria nuk është në shitje”
Jeta në Austri
-
Diaspora nga Zvicra, Gjermania e Austria në protesta në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së Pas vendimit të Dhomave të Specializuara në Hagë, tubime janë paralajmëruar në Gjermani, Zvicër, Austri dhe... -
Edhe në Vjenë protestë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së -
Zbulohen mbi 18 kilogramë drogë: Arrestohen një shqiptar dhe një austriak -
Austri
Shqiptari dënohet me gjashtë vjet burg në Austri për nëntë vjedhje -
Një person nga Salzburgu fiton 111,5 milionë euro në EuroMillions










