Lajme

Kusari- Lila deklarohet kundër Pacollit për anëtarët e bordeve të NP-ve

Zëvendëskryeministrja Mimoza Kusari-Lila ka thënë se emrimet nëpër borde të ndërmarrjeve publike, nuk duhet të bëhen në bazë të marrëveshjeve politike.

“Nuk ka marrëveshje për këtë çështje pasi plotësimi i bordeve të ndërmarrjeve publike bëhet në bazë të konkursit të hapur dhe plotësimit të kritereve profesionale”, ka thënë Kusari-Lila, raporton Koha Ditore.

Kjo deklaratë e saj është në kundërshtim më të shefit të saj, Behgjet Pacolli, i cili kohë më parë ka deklaruar se anëtarët e rinj të bordeve do të bëhen në bazë të një marrëveshjeje mes partnerëve të koalicionit.

Lideri i AKR-së në nëntor të vitit të kaluar ka deklaruar për KTV-në se janë marrë vesh me liderin e PDK-së, Hashim Thaçi, edhe për postet nëpër bordet e ndërmarrjeve publike.

Anëtarët e bordeve të ndërmarrjeve publike nuk do të ndërrohen deri në mars. Qeveria u ka dhënë një mandat shtesë pas skadimit të tij në dhjetor të vitit 2011. Mandatet e drejtorëve të bordeve të ndërmarrjeve publike kanë pasur afat deri më 23 dhjetor.

Një konkurs publik për zëvendësimin e tyre ishte hapur vitin e kaluar. Tetë ditë para skadimit të mandatit Qeveria kishte anuluar konkursin për zëvendësimin e tyre.