Kosova

Kurti takoi 26 eurodeputetë nga Parlamenti Evropian

 

Kurti para disa ditësh udhëtoi drejt Francës, për disa takime me diplomatë francezë dhe më gjerë, përcjell albinfo.ch.

“Me takimin e ngrohtë e të përzemërt me mërgatën tonë nga gjithsej pesë shtete të Bashkimit Evropian që orbitojnë qytetin e Strasburgut, e përfundova vizitën dhe qëndrimin dyditor atje”, tha ai.

Kurti bashkë me ambasadorin e Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami, zëvendësministrin e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, këshilltarët e zëvendëskryeministrit të parë, Curri dhe Gricourt, si dhe deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, zhvilluan gjithsej 11 takime zyrtare.

“Takuam 26 eurodeputetë, nga katër grupet më të mëdha politike të Parlamentit Evropian. U mirëpritëm nga Presidentja e këtij institucioni, Roberta Metsola. Morëm pjesë në takimin e 10-të të Komitetit të përbashkët Parlamentar për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit. Kurse mbrëmë, bashkëbiseduam me mbi 30 ambasadorë të shteteve anëtare të Këshillit të Evropës në pritjen e organizuar nga ata.  Prezantuam punën tonë, arritjet, reformat dhe planet. Morëm vlerësime pozitive për qeverisjen dyvjeçare dhe mbështetje për aplikimin e vendit tonë në Bashkimin Evropian dhe Këshillin e Evropës. Evropa është kontinenti ynë. Bashkimi Evropian është fati ynë. Ai synim i hershëm. Orientim vleror. Angazhim i përditshëm. I përbashkët.”