Kosova

Kurti: Sulmi ndaj gazetarit Valon Syla, i patolerueshëm

Foto ilustrim

 

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka dënuar sulmin fizik ndaj gazetarit Valon Syla, përcjell albinfo.ch.

Kurti në fillim të mbledhjes së sotme të Qeverisë tha se sulmi ndaj Sylës është i patolerueshëm dhe i papranueshëm.

“Më lejoni fillimisht të them se sulmi i mbrëmshëm ndaj gazetarit dhe opinionistit Valon Syla është i patolerueshëm dhe i papranueshëm. Mospajtimet në bindje dhe qëndrime nuk mund dhe nuk duhet të jenë shkas për sulme fizike. Në një shoqëri demokratike, të cilën e prezantojmë dhe e promovojmë me krenari, nuk duhet të lejojmë asnjëherë që frika nga fjala e lirë të peshojë më shumë sesa liria e fjalës”, tha Kurti.

Kreu i Qeverisë kërkoi nga institucionet që ta trajtojnë këtë rast “me seriozitetin e duhur”, në mënyrë që autorët të vihen para drejtësisë “sa më parë”.