Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje njëherit kryeministër në detyrë Albin Kurti, ka deklaruar pas takimit me përfaqësuesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës se bisedimet për zgjedhjen e Presidentit të Kosovës do të vazhdojnë.
Sipas Kurtit, takimi është zhvilluar në një atmosferë të hapur dhe serioze, ndërsa palët kanë shënuar përparim në procesin e diskutimeve.
Ai bëri të ditur se, përveç kritereve dhe parimeve të dakorduara më herët, gjatë takimit është diskutuar për herë të parë edhe për emra konkretë që mund të konsiderohen për postin e Presidentit.
Megjithatë, Kurti tha se këta emra nuk do të bëhen publikë në këtë fazë, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së konfidencialitetit gjatë negociatave.
“Diskutimi ishte i hapur, i sinqertë dhe serioz. Do t’i vazhdojmë bisedimet, pasi është rritur mirëbesimi dhe për herë të parë kemi diskutuar edhe për emra të veçantë”, deklaroi Kurti.
Ai sqaroi se personat e përmendur gjatë diskutimeve nuk janë kontaktuar paraprakisht për të pyetur nëse do ta pranonin postin, pasi fillimisht duhet të arrihet një pajtim politik mes palëve.
Bisedimet mes LVV-së dhe LDK-së pritet të vijojnë në ditët në vazhdim, ndërsa zgjedhja e Presidentit mbetet një nga çështjet kryesore në agjendën politike.