Skip to content

Rritet përdorimi i snusit në Zvicër, industria e duhanit e promovon si alternativë ndaj cigareve

Konsumi i snusit në Zvicër është rritur nga 80 tonë në vitin 2016 në 455 tonë në vitin 2024. Ndërsa industria e duhanit e paraqet si alternativë më pak të dëmshme ndaj cigareve, ekspertët paralajmërojnë se mungojnë dëshmitë shkencore që ky produkt ndihmon në uljen e duhanpirjes.

Përdorimi i snusit dhe qeseve me nikotinë po shënon rritje të madhe në Zvicër, veçanërisht te të rinjtë. Sipas të dhënave të publikuara nga mediat zvicerane, sasia e këtyre produkteve të shitura dhe të taksuara është rritur nga 80 tonë në vitin 2016 në 455 tonë në vitin 2024.

Industria e duhanit i promovon produktet me nikotinë si alternativa ndaj cigareve dhe pretendon se ato mund të kontribuojnë në uljen e numrit të duhanpirësve. Megjithatë, këto argumente kundërshtohen nga organizatat për parandalimin e duhanit dhe nga hulumtimet shkencore.

Markus Meury, përfaqësues i nismës zvicerane “Transparency and Truth”, thotë se vetëm një numër i vogël i duhanpirësve kalojnë te snusi, ndërsa pjesa më e madhe e përdoruesve të rinj janë persona që më parë nuk kanë konsumuar produkte të tilla.

Edhe Agjencia Suedeze e Shëndetit Publik ka vënë në pikëpyetje pretendimet e industrisë, duke konstatuar se nuk ka studime të mjaftueshme për të dëshmuar se përdorimi i snusit ndikon në reduktimin e konsumit të cigareve.

Ndërkohë, disa politikanë zviceranë e përmendin Suedinë si shembull, pasi ky vend ka një përqindje të ulët të duhanpirësve. Ata argumentojnë se produktet alternative me nikotinë mund të luajnë rol në këtë drejtim dhe se nuk duhet të kufizohen tepër.

Por organizatat për parandalimin e duhanit theksojnë se suksesi i Suedisë lidhet kryesisht me politikat e rrepta kundër duhanit, kufizimet e pirjes së duhanit dhe çmimet e larta të cigareve, e jo domosdoshmërisht me përdorimin e snusit.

Çështja mbetet e debatueshme, ndërsa rritja e konsumit të produkteve me nikotinë ngre shqetësime të veçanta për përhapjen e varësisë te të rinjtë.