Skip to content

Gati 500 mijë persona në Zvicër janë prekur nga kanceri

Rreth 495 mijë njerëz në Zvicër jetojnë me kancer ose e kanë kaluar këtë sëmundje, ndërsa numri i tyre është dyfishuar gjatë 20 viteve të fundit.

Sipas të dhënave të reja të publikuara nga televizioni zviceran SRF, rritja lidhet me plakjen dhe shtimin e popullsisë, por edhe me përmirësimin e metodave të diagnostikimit dhe trajtimit, të cilat po bëjnë të mundur zbulimin më të hershëm të sëmundjes dhe rritjen e mundësive për mbijetesë.

Të dhënat bazohen në një studim të Institutit Kombëtar për Epidemiologjinë dhe Regjistrimin e Kancerit (NICER), në bashkëpunim me studiues të tjerë.

Ndërkohë, Lidhja Zvicerane kundër Kancerit po kërkon mbështetje më të madhe për pacientët, përtej trajtimit mjekësor. Në kuadër të një projekti pilot në Winterthur, që pritet të zgjerohet edhe në Ticino, personave të prekur do t’u ofrohet mbështetja e një trajneri personal për përballimin e sfidave të jetës së përditshme.

Ekspertët theksojnë se, ndonëse numri i personave të prekur nga kanceri po rritet, mundësitë për trajtimin dhe mposhtjen e sëmundjes janë sot më të mira se kurrë më parë.