Kosova

Kurti: Kosova po fiton luftën kundër pandemisë COVID-19

Kryeministri Albin Kurti është shprehur se Kosova po fiton “luftën” kundër pandemisë COVID-19.

Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, kryeministri Albin Kurti ka thënë se gjendja me pandeminë është shumë më e mirë sesa disa muaj më parë, kur qeveria e tij ka marrë detyrën.

Ai theksoi se qeveria ka ndërmarrë masa për të ndaluar përhapjen e virusit dhe se tani shifrat tregojnë për rënie drastike të të prekurve me këtë sëmundje të rrezikshme.

“Kemi marrë masa për të ndaluar shpërndarjen e virusit dhe shifrat kanë treguar rënie drastike të numrit të të infektuarve aktivë gjë që ka ndikuar që rreziku i infektimit të zvogëlohet për të gjithë ne e në veçanti për personelin shtendosur, pra gjendja është pakrahasimit më e mirë se që e kemi gjetur. Kur kemi ardhur në qeverisje kanë qenë 12 mijë e 635 raste aktive e me qindra të infektuar në ditë, nganjëherë i afrohej edhe numrit 1000”, tha Kurti.

Sipas kryeministrit, para çështjeve financiare, qeveria në prioritetin e saj ka mbrojtjen e jetës së qytetarëve dhe personelit mjekësor.

“Për neve para se të trajtohet aspekti financiar më e rëndësishme është që jetët e personelit mjekësor më nuk janë të rrezikuara dhe se ne po e fitojmë luftën kundër pandemisë COVID-19 dhe vendimet që i kemi marrë do t’i zbatojmë”, tha Kurti.

Duke parë situatën epidemiologjike, mjekët dhe specialistët e shëndetit e shohin të arsyeshme, që masat shtrënguese të aplikuara kundër COVID-19 duhet të lirohen për t’i dhënë një hov të ri zhvillimit të ekonomisë.