Lajme

Kurti fton shqiptarët e Zvicrës në bashkëbisedim

Fundjavën e ardhshme, ish-kryeministri i Kosovës, njëherësh lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, pritet të takojë profesionistë të rinj dhe ekspertë që jetojnë në Zvicër.

Këtë e ka bërë të ditur përmes një njoftimi në Facebook anëtarja e Vetëvendosjes, Fëllanza Podrimja.

Postimi i plotë:

“Më dt. 17 tetor (e shtunë) nga ora 16:15-17:30 në Basel dhe më dt. 18 tetor (e diel) nga 14:30 deri 16:00 në Aarau.

Albini do të diskutojë mundësitë e bashkëpunimit profesional mes jush dhe Qeverisë së ardhshme Kurti. Përmes pjesëmarrjes dhe kontributit tuaj, do të jetë më e lehtë arritja e qëllimeve tona për një shoqëri prosperuese dhe qeverisje efektive. Historikisht, mbështetja e Kosovës nga diaspora e saj është e domosdoshme dhe e pazëvendësueshme, andaj kjo traditë do të kultivohet edhe më tutje.

Bazuar në kufizimet rreth situatës me Covid-19, ai do të mund të takohet me grupe të vogla, jo më shumë se 20 persona.

Nëse dëshironi më shumë informacione më kontaktoni me mesazhe”, shkruan Fëllanza Podrimja.