Kosova
Kurti flet për formimin e Qeverisë së re
Albin Kurti ka thënë se dita e fundit kur do të mund të mbahet seanca e Kuvendit ku ai prezanton kabinetin e ri është 26 tetori
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të hënën se këtë javë do t’i nisë diskutimet për qeverisjen qendrore.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e ka mandatuar Kurtin për ta formuar Qeverinë e re, pas konstituimit të Kuvendit më 10 tetor, me zgjedhjen e Nenad Rashiqit nënkryetar nga komuniteti serb.
Partia e Kurtit, Lëvizja Vetëvendosje, ka fituar më së shumti vota në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, por jo mjaftueshëm për ta formuar vetë udhëheqjen e re.
Albin Kurti ka thënë se dita e fundit kur do të mund të mbahet seanca e Kuvendit ku ai prezanton kabinetin e ri është 26 tetori, transmeton albinfo.ch.
“Kosovës i duhet edhe një mandat i Qeverisë sonë, i duhet një mandat i ri i Qeverisë sonë. Neve na duhet një mandat i ri në përputhje me rezultatin e 9 shkurtit sivjet. Unë si kryeministër në detyrë kam hyrë në muajin e shtatë të vitit të pestë të mandatit të plotë katërvjeçar, dhe duhet të kemi mandat të rregullt, i cili padyshim se do të fillojë sapo ta nxjerrim në kuvend përbërjen e re Kurti 3”, ka thënë kryeministri në detyrë në një konferencë për media.
“Në momentin që vlerësojmë se komunikimet kanë rezultuar të suksesshme, ne nuk e presim 26 tetorin, por ai është afati i fundit”, ka deklaruar Kurti, duke mos dashur të japë hollësi se me cilat parti mund të jetë duke diskutuar ndonjë koalicion të mundshëm qeveritar.
“Nuk mund të flas më shumë në këtë fazë. Nëse nuk ka Qeveri të re Kurti 3, pa asnjë dyshim që jemi të gatshëm për zgjedhje të reja parlamentare”.
Pas mandatit të dhënë nga Osmani, Kurti i ka 15 ditë që ta propozojë para Kuvendit përbërjen e kabinetit qeveritar.
Kabineti duhet t’i sigurojë votat e 61 deputetëve brenda këtij afati. Por, nëse kjo nuk ndodh, presidentja është e obliguar që brenda 10 ditëve t’i ftojë në konsultim edhe një herë partitë politike, edhe të vendosë, sipas diskrecionit të saj, për mandataren e re, nëse ajo ia dëshmon se i ka numrat për të formuar Qeverinë.
Edhe mandatarja e ardhshme duhet t’i ketë 15 ditë kohë që t’ia paraqesë Kuvendit përbërjen e kabinetit qeveritar.
Nëse Qeveria nuk formohet as pas 40 ditësh, presidentja duhet të shpallë dekretin për zgjedhjet e reja, që duhet të mbahen dyzet ditë prej shpalljes së vendimit. Kryeministri në detyrë Kurti i ka bërë këto deklarata një ditë pas zgjedhjeve lokale të mbajtura në 38 komunat e Kosovës. Sipas tij, partia Vetëvendosje e ka shënuar rezultatin më të mirë në nivel lokal.
Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, LVV-ja ka fituar në tri komuna – Podujevë, Kamenicë, Shtime, ndërsa do ta vazhdojë garën në balotazh në 12 komuna tjera. Për njohësit e çështjeve politike, asnjëra parti nuk arriti dominim të plotë dhe analistët flasin për fitore dhe humbje relative.
Dalja në këto zgjedhje ka qenë rreth 40 për qind, pak më e vogël sesa më 2021. Në total, 21 komuna i kanë zgjedhur kryetarët në rundin e parë, ndërsa 17 tjera do të organizojnë balotazhin më 9 nëntor.
Të tjera nga Kosova
E-Diaspora
-
Aksidenti tragjik në Vjenë: Kompania e ndërtimit fshin gjurmët pas vdekjes së tre kosovarëve Faqja e kompanisë hiqet menjëherë pas ngjarjes, ndërsa hetimet për shembjen e skelës vazhdojnë... -
Drena Kusari emërohet në një nga pozitat më të larta drejtuese në Microsoft -
Tri vajzat e Kosovës shkëlqyen në Oscars -
Ambasada e Kosovës në Austri konfirmon dy viktima nga Kosova në tragjedinë në Vjenë -
Revista e manifestimit “Kurora e Lirisë”, një publikim që sjell standard të ri
Jeta në Austri
-
Aksidenti tragjik në Vjenë: Kompania e ndërtimit fshin gjurmët pas vdekjes së tre kosovarëve Faqja e kompanisë hiqet menjëherë pas ngjarjes, ndërsa hetimet për shembjen e skelës vazhdojnë... -
Austri
“Dëgjova britmat e punëtorëve dhe pastaj sirenat”, si ndodhi aksidenti fatal në Vjenë -
Detaje të reja tronditëse: Betoni i lëngshëm i zuri poshtë punëtorët -
Ambasada e Kosovës në Austri konfirmon dy viktima nga Kosova në tragjedinë në Vjenë -
Vjenë
Vjenë: Nis regjistrimi i nxënësve për mësimin plotësues në gjuhën shqipe për vitin shkollor 2026/2027












