Lajme
Kurti e sheh të zbehtë mundësinë për marrëveshje me Serbinë këtë vit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për Zërin e Amerikës, tha se qeveria e tij synon që të heqë tarifat ndaj mallrave serbe, pasi të vendosen masat e reciprocitetit me Serbinë, duke vlerësuar se edhe marrëdhëniet ndërkombëtare sot në botë, ndërtohen mbi këtë parim.
Kurti thotë se nuk është e pamundur që të arrihet një marrëveshje me Serbinë brenda këtij viti, por nuk pret ndonjë dialog thelbësor e as rezultate të shpejta derisa edhe Serbia është në prag të zgjedhjeve.
Sipas tij, ekziston një rezolutë e Kuvendit të Republikës së Kosovës për reciprocitet të plotë politik, ekonomik dhe tregtar me Serbinë, e datës 7 dhjetor 2011 për të cilën ata dëshirojnë që ta kenë këtë reciprocitet si parim normal të marrëdhënieve të mira fqinjësore e bilaterale, dhe me këtë rast ta zëvendësojnë tarifën 100 për qind.
“Ajo i ka dy aspekte; aspektin politik dhe ekonomik. Aspekti politik më shumë i korrespondon shkakut dhe shkasit. Shkaku ishte fushata agresive e Serbisë në arenën ndërkombëtare kundër Kosovës, ndërkaq shkasi ishte mos anëtarësimi i Kosovës në INTERPOL, madje edhe shumë faktorë ndërkombëtarë e theksojnë që Serbia duhet ta pushojë fushatën kundër njohjeve të Kosovës. Ndërkaq, është edhe aspekti ekonomik me ç’rast meqenëse ajo tarifë u vendos shpejt e shpejt me siguri që bëhet fjalë për një mungesë përfitimi për prodhuesit vendës, ashtu që sot ekonomikisht nga tarifa 100 për qind ndaj Serbisë më së shumti kanë përfituar disa shtete të rajonit, prandaj unë dëshiroj që të mbaj një takim me komunitetin e biznesmenëve prodhues në Kosovë dhe ta diskutojmë edhe aspektin ekonomik të kësaj tarife e jo vetëm atë politik”, ka thënë ai.
Ai tutje nuk ka dhënë ndonjë afat se kur do të zëvendësohet taksa 100 për qind me masën e reciprocitetit.
“Do të dëshironim sa më shpejt që të jetë e mundur, mirëpo unë sot mezi kam arritur që ta përfundoj në ditën e tretë të punës vizitën e stafit në ndërtesën e kryeministrisë, ka shumë zyre e shumë dyer këtu dhe këtë javë kisha një mbledhje ceremoniale solemne, do të vazhdoj me mbledhjen e radhës e kemi projektligjin për buxhetin e vitit 2020, programin qeverisës, e kemi planin e punës së qeverisë, e kemi shqyrtimin e një mori të vendimeve pas dorëheqjes së ish kryeministrit në korrik të vitit të shkuar. Natyrisht që kjo është ndër prioritetet tona mirëpo, ne ende nuk jemi vendosur në qeveri tamam dhe do të na nevojitet ca kohë, do të përpiqemi më shpejt mirëpo jo gjithçka varet tash prej nesh.
Lidhur me reciprocitetin, Kurti ka thënë se me reciprocitet nuk duan hakmarrje ndaj Serbisë, por drejtësi, duke shtuar se një masë e tillë është korrektësi dhe qasje fer.
“Nuk kemi pse ne ta anashkalojmë vetveten, ne nuk dëshirojmë që të hakmerremi ndaj Serbisë, mirëpo ka shumë gjëra të papranueshme që i bën ajo karshi nesh e neve na nevojitet që minimalisht të mbrohemi, pra reciprociteti nuk është fare ofensiv, fushata e Serbisë është ofensive, reciprociteti është mbrojtje, është defansiv, është minimumi për një lloj dinjiteti dhe integriteti të subjektivitetit tonë si shtet në aspektin e jashtëm”, ka thënë ai.
Ai thotë se bisedimet me Serbinë në një farë mënyre nuk janë ndalur asnjëherë për shkak se nëpër tryeza e konferenca të ndryshme ndërkombëtare janë takuar qeveritarët, liderët e Kosovës me ata të Serbisë, duke shtuar se kjo do të vazhdojë edhe më tutje.
“Unë mendoj që tash kur ne ende nuk kemi arritur ta bëjmë fuzionimin e ministrive tona nga 21 në 15 sepse do ca kohë kjo, ndërkaq që në anën tjetër ka filluar që të vlojë fushata për zgjedhjet në Serbi, nuk mendoj që mund të pritet ndonjë dialog substancial i menjëhershëm dhe rezultate të shpejta. Unë nuk jam që të vonohemi por nuk jam as që të ngutemi”, ka thënë ai.
Ai tutje ka ripërsëritur se dialogu do të udhëhiqet nga vetë ai, duke shtuar se në negociata duhet shkuar të përgatitur mirë.
“Besoj që Brukseli si kryeqytet i Bashkimit Evropian me atë çfarë simbolizon në kuptimin e vlerave dhe standardeve evropiane të paqes, të zhvillimit dhe demokracisë, do të duhej të ishte korniza e organizimit dhe mbarëvajtjes së këtyre bisedimeve. Pra na nevojitet diskutim me Brukselin për dialog me Beogradin. Në këtë kuptim, qeveria e Kosovës do të jetë e përgatitur, kjo duhet të kaloj edhe nëpërmjet një vlerësimi paraprak të marrëveshjeve të deritanishme sepse nuk është se na mungojnë marrëveshjet me Serbinë, halli është se ato ose nuk zbatohen ose nuk kanë efekt”, ka thënë ai.
Zëri i Amerikës: Zoti Kryeministër, si i keni parë përfshirjen e ambasadorit Richard Grenell, që është edhe i dërguar i posaçëm i presidentit Trump për bisedimet Kosovë-Serbi dhe a ka dallime në mes të dy qendrave Washingtonit e Brukselit?
I pyetur se a mund të arrihet një marrëveshje gjatë këtij viti, duke parë përfshirjen më të madhe të ambasadorit Grenell, ai ka thënë se nuk mund ta parashikojë një gjë të tillë.
“Tani mund të shprehë vullnetin tim për dialog, për bashkëbisedim të hapur e parimor dhe besoj që nuk do të duhej që duke e vënë marrëveshjen para dialogut ta dëmtojmë dialogun dhe ta pamundësojmë marrëveshjen si të tillë”, ka thënë ajo, përcjell Albinfo.ch
E-Diaspora
-
Dy nxënës nga Kosova fitojnë nga 5 medalje në Paris Të dy dëshmuan talent, përkushtim dhe nivel të lartë përgatitjeje...
-
Në pushime me fëmijën, në kohë shkolle: Kjo mund t`i kushtojë 1000 euro kosovares
-
TECH FORUM 2025, Cyrih: Kosova dhe shqiptarët, një “superfuqi” e TI-së
-
Katër shqiptarë akuzohen për mashtrim kibernetik, dëmi: Mbi një miliard euro
-
Dr. Kaltrina Zahiti: Për një trajtim më të përgjegjshëm të syve
Jeta në Austri
-
Tradita e pushimeve: Ku do të shkojnë austriakët në verën e 2025? Pavarësisht rritjes së kostove, pushimet mbeten një prioritet për austriakët në verën e 2025, edhe pse...
-
Austri: Buxheti i ri sjell rritje të ndjeshme tarifash për qytetarët
-
Pesë mënyra se si mund të kurseni para kur blini ushqim në Austri
-
Vjena sheh rritje 30% të rasteve të mbidozës së drogës tek adoleshentët
-
Gjërat që nuk mund t’i mbani në makinën tuaj në Austri