Kosova

Kurti dhe Haxhiu bëjnë homazhe për të zhdukurit, mbi 1,500 persona ende të pagjetur

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentja në detyrë, Albulena Haxhiu, kanë vendosur lule te Monumenti i Personave të Zhdukur në Prishtinë, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur me Dhunë.

Homazhet u bënë në kujtim të të gjithë personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës së fundit në Kosovë, ndërsa mbi 1,500 persona vazhdojnë të jenë të pagjetur, përcjell albinfo.ch.

“Sot, në Ditën Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur me Dhunë, bashkë me Kryeministrin Albin Kurti, vendosëm lule te Monumenti i Personave të Zhdukur në Prishtinë, në kujtim të të gjithë personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës së fundit në Kosovë”, ka deklaruar Haxhiu.

Ajo ka theksuar se për familjet e të zhdukurve pritja vazhdon, ndërsa për Kosovën kjo çështje mbetet ende një kapitull i hapur.

“Mbi 1500 persona ende nuk janë gjetur. Për familjet, pritja vazhdon. Për Republikën e Kosovës, kjo mbetet një plagë dhe një kapitull i hapur, që nuk mund të mbyllet derisa të zbardhet fati edhe i personit të fundit”, ka thënë Haxhiu.

Sipas të dhënave të bëra publike, gjatë vitit të fundit, në 17 lokacione janë gjetur mbetje mortore të 30 personave. Vetëm gjatë muajit të fundit, në Kalludër dhe Jabukë të Zubin Potokut, janë gjetur mbetje mortore të së paku 23 personave.

Haxhiu ka falënderuar institucionet e Kosovës të përfshira në procesin e kërkimit, duke përmendur në veçanti Policinë e Kosovës, Prokurorinë, Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe Komisionin Qeveritar.

Ajo ka vlerësuar se rezultatet e gërmimeve dëshmojnë vazhdimin e punës për zbardhjen e fatit të të pagjeturve, por njëkohësisht nxjerrin në pah, sipas saj, mungesën e bashkëpunimit nga Serbia.

Në këtë drejtim, Haxhiu i ka bërë thirrje Serbisë që t’i hapë arkivat, duke theksuar se qasja në to është jetike për zbardhjen e së vërtetës dhe gjetjen e vendndodhjes së personave të vrarë dhe të zhdukur me dhunë.

Edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare që të ushtrojë presion ndaj Serbisë për hapjen e dosjeve dhe arkivave që mund të ndihmojnë në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.

“Hapja e dosjeve të fqinjit tonë verior është jetike për zbardhjen e së vërtetës, për varrimet dinjitoze të më të dashurve tanë e sidomos të familjeve të tyre që presin në ankth, dhe gjithashtu edhe për kontributin në paqen e përgjithshme në rajonin tonë”, deklaroi nga ana tjetër kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti.

Institucionet e Kosovës, sipas Haxhiut, do të vazhdojnë punën dhe kërkimet “me përkushtim maksimal, derisa të gjendet edhe personi i fundit”.