Sport

Kuqezinjtë do të grumbullohen në Zvicër

Më 26 maj, Kombëtarja kuqezi do të zhvillojë një tjetër grumbullim kësaj here në Zvicër

Shqipëria ka lënë pas humbjen në miqësoren ndaj Norvegjisë, dhe tashmë është duke menduar për grumbullimin e ardhshëm.

Më 26 maj, Kombëtarja kuqezi do të zhvillojë një tjetër grumbullim kësaj here në Zvicër, përcjell albinfo.ch.

Pas tre ditësh përgatitje skuadra e Christian Panuccit do të zhvillojë testin e parë miqësor. Kundërshtari për këtë test miqësor nuk është gjetur ende, teksa Federata Shqiptare e Futbollit është duke biseduar me disa federata të tjera, për të caktuar një test miqësor në datën 29 maj, shkruajnë mediat shqiptare.

Pas miqësores në 29 maj, kuqezinjtë do të zhvillojnë një test tjetër ndaj Ukrainës. Kjo përballje është planifikuar të zhvillohet në 2 qershor. Kujtojmë që me kombëtaren që tashmë drejtohet nga Shevchenko, Shqipëria është përballur së fundmi në takimin e zhvilluar në Bergamo të Italisë më 3 qershor të vitit 2016, ku skuadra ukrainase triumfoi me rezultatin 1:3.