Kosova

Çfarë mendojnë mjekët shqiptarë të Zvicrës për nismën e Kurtit

Kohë më parë kryeministri Kurti njoftoi se kishte një plan për kthimin e mjekëve shqiptarë nga diaspora në vendlindje. Albinfo.ch ka pyetur disa mjekë shqiptarë nga Zvicra lidhur e këtë nismë 

Shqetësimet e ditëve të fundit për largimin e mjekëve nga Kosova kanë nxitur kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, që të thërrasë mjekët e diasporës për t’u kthyer në Kosovë. 

Ai inkurajon mjekët nga diaspora që të kthehen dhe të gjejnë veten në vendlindje, duke thënë se Qeveria po krijon lehtësi për kthimin e tyre në Kosovë. 

Mirëpo, nisma e kryeministrit Kurti dhe e Komitetit Ekzekutiv për Shëndetësi nuk u prit kudo mirë dhe strategjia e tij u konsiderua një joshje jo e mirë, ani pse lehtësimin e procedurave për mjekët nga jashtë e shohin si pozitiv dhe vendim të duhur. 

Referuar të dhënave të Odës se Mjekëve, në pesë vjetët e fundit asnjë mjek nga diaspora nuk ka shprehur vullnet që të vijë e të punojë në një institucion publik të shëndetësisë së Kosovë. 

Ndërkohë, Qendra Klinike Universitare e Kosovës asnjëherë nuk ka joshur mjekë të huaj që të vijnë e të kontribuojnë për shëndetësinë kosovare.  

Vetëm gjatë këtij viti 500 infermierë dhe 403 mjekë kanë ikur nga Kosova për në vendet e huaja, sidomos në Gjermani. Sindikata e Punëtorëve Shëndetësorë të QKUK-së ka njoftuar se në përgatitje që të largohen nga Kosova vetëm gjatë vitit 2023 janë rreth 1500 infermierë. Kjo sindikatë ka thënë se janë duke e ndjekur me shqetësim ikjen e punëtorëve shëndetësorë. 

Sipas të dhënave zyrtare, paga bruto e mjekëve në Kosovë është 630 euro, derisa në Gjermani ata paguhen deri në 4,000 euro, ndërsa në Zvicër paga mesatare është dukshëm më e lartë. 

Sa është realiste nisma e Kurtit? 

Mungesa e anesteziologëve dhe e infermierëve janë më të theksuarat në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. 

Lidhur me këtë nismë, revista Albinfo.ch ka intervistuar disa mjekë nga Zvicra, që janë pjesë e Lidhjes së Mjekëve Shqiptarë të Zvicrës, duke marrë opinionin e tyre lidhur me këtë temë. 

Kirurgu Gazmend Morina është shprehur se kthimi i mjekëve nga Zvicra është joreal, përveç atyre të rinjve që kanë ardhur vetëm për karrierë dhe nuk kanë ende familje dhe fëmijë të rritur.  

“Arsyeja e tyre për t’u kthyer në Kosovë mund të jetë pasi që në Kosovë ka mjekë të cilët (jo të gjithë) fitojnë më shumë, por kuptohet se në Kosovë është mundësia e të punuarit privat, ndërsa këtu vetëm nëse janë “leitende Ärzte” (mjekë drejtues), tha ai. 

Po ashtu, sipas tij, në Kosovë regjimi i punës është më i lehtë se këtu, në Zvicër. 

“Për mjekët në Gjermani, ku edhe unë isha para 5 vjetësh, besoj se ndoshta do të ishte mundësi e mirë, por përderisa në perëndim paguhesh më mirë, normalisht edhe punohet më shumë. Kur unë isha në Gjermani, kam menduar të kthehem në Kosovë, derisa fëmijët ishin nën moshën 10 vjeçare dhe dëshira ime për tu kthyer bazohej në mendimin se edhe pse fitoj 1000€ më pak se në Gjermani, standardi i jetës në Kosovë është më i lirë”, thotë ai.  

Ndërkohë, Mentor Bilalli, shef mjekësor i Qendrës Gastroenterologjike dhe Endoskopisë në spitalin SRO Langenthal, Kantoni i Bernës, thotë se çdo veprim i Qeverisë së Kosovës, institucioneve, Odës së Mjekëve apo organizatave, që kontribuon për lehtësimin apo bashkëpunimin e mjekëve në të gjitha trojet shqiptare, është i mirëseardhur dhe pozitiv. Por se sa ka efekt pastaj, sipas tij është çështje e diskutueshme dhe do të shihet në të ardhmen.  

Vullneti i mjekëve nga diaspora ka ekzistuar, por… 

“Unë personalisht mendoj se duhet klasifikuar mjekët që janë lindur e rritur në Zvicër, ku edhe e kanë përfunduar shkollimin, fakultetin e specializimin, kanë krijuar familjen këtu, rrethin shoqëror, gjasat që këta mjekë të kthehen në Kosovë, nuk i shoh reale. Sepse ata janë të integruar në Zvicër, prandaj e shohin të ardhmen këtu dhe nuk besoj që do të kthehen. Ndërsa për mjekët që kanë përfunduar studimet e mjekësisë në Kosovë dhe specializimet i bëjnë jashtë shtetit, ata janë të lidhur me familjen në vendlindje, me rrethin shoqëror, etj., edhe mund të kthehen. Por duke pasur parasysh, rrethanat, kushtet, mundësitë e po ashtu edhe pagat, gjasat janë të vogla që ata të kthehen nga jashtë. 

Nga ana tjetër, Naim Mehmeti, doktor internist dhe angiolog, i cili punon si kryemjek udhëheqës në Spitalin Kantonal të qytetit, Winterthur, në Kantonin e Cyrihut, lidhur me deklaratën e Kurtit është shprehur se vullneti i mjekëve nga diaspora ka ekzistuar gjithmonë për të dhënë ndihmën e tyre në Kosovë. 

“Gatishmëria ka ekzistuar gjithnjë, mirëpo aspekti organizativ dhe mungesa e sistemit të konsoliduar shëndetësor në Kosovë e vështirëson shumë realizimin dhe zhvillimin e aktivitetit profesional. Aspekti financiar natyrisht si tek secili profesion është i rëndësishëm, mirëpo nuk shihet si element prioritar”, shprehet Mehmeti.  

Sipas tij, kthimi i mjekëve nga diaspora nuk është zgjidhja e vetme e problemeve në shëndetësinë e Kosovës. 

Po ashtu edhe kardiologu i njohur në Zvicër, Florim Cuculi, thotë se në përgjithësi shteti funksionon shumë më mirë me shumë më pak burokraci.  

“Sa i përket kësaj çështjeje, e qartë është që duhet të ketë lehtësim për nostrifikimin e diplomave. Kjo ka vlerë të madhe simbolike dhe praktike”, tha ai. 

Më realiste janë kthimet periodike për të ndihmuar mjekësinë në Kosovë 

Por rreth asaj se sa është real kthimi në Kosovë i mjekëve shqiptarë që punojnë dhe jetojnë në Zvicër, kur dihet që ka dallim të madh pagash dhe të kushteve të punës, Cuculi mendon: “Nuk besoj që do të ketë kthim të mjekëve nga Zvicra në Kosovë. Edhe në Zvicër ka mungesë të madhe të mjekëve dhe ata mjekë që janë sistemuar në Zvicër, nuk do të kthehen në Kosovë, në mënyrë permanente. Mirëpo, unë mendoj që mund të ketë bashkëpunim të mirë, ndoshta edhe kthime të përkohshme për ditë apo për javë në muaj. Aty ka potencial të madh dhe këtë potencial duhet ta shfrytëzojmë”, shprehet Cuculi.  

Gjithashtu edhe stomatologu Gazmend Haliti thotë se “Krijimi i lehtësirave” me qëllim që profesionistët shëndetësorë ta kenë më të lehtë qasjen në sistemin shëndetësor të Republikës së Kosovës, në këndvështrimin e tij është një ide shumë e mirë.  

Haliti shton se pavarësisht kësaj, nuk mjafton vetëm krijimi i lehtësirave, por nevojitet që të hiqet çdo barrierë e mundshme dhe procedurat për licencim të këtyre mjekëve, sidomos atyre që e kanë dëshmuar veten në institucionet shëndetësore me renome, të jenë sa më formale dhe të shpejta (OneStop Solution).  

“Sistemi shëndetësor në Kosovë është degraduar tej mase, kështu që besoj që nuk i kanoset rreziku nga mjekët e diasporës, përkundrazi. Sa është real kthimi në Kosovë i mjekëve shqiptarë, nuk besoj që aktualisht këto pritje janë reale. Ndoshta do të ketë kolegë të cilët ndodhen në një fazë të jetës që ua lejon kthimin e menjëhershëm dhe të plotë në Kosovë. Për më shumë mendoj që më i rëndësishëm është transferimi i dijes. Nuk është e thënë që mjekët të kthehen përfundimisht nga Diaspora, mjafton që me angazhimet e tyre periodike ata të sjellin dijet, mentalitetin e punës dhe vlerat etike e morale që i kanë konsoliduar përgjatë aktivitetit shumëvjeçar të tyre brenda sistemit shëndetësor të shteteve perëndimore”, thotë ai.  

Sipas Halitit, rritja e konkurrencës brenda tregut shëndetësor në Kosovë do të përmirësojë cilësinë, pa dallim, në institucione private apo shtetërore.  

“E rëndësishme është që pacienti të përfitojë. Mund ta imagjinoni benefitin, nëse në mënyrë periodike bëhen 500 – 600 mjekë që vijnë secili, nga p.sh 7-8 herë në vit për të mbikëqyrur dhe trajnuar stafin”. 

A mund të gjenden forma alternative në vend të kthimit të përhershëm?  

Por a mund të ketë forma të tjera, alternative bashkëpunimi mes mjekëve nga diaspora me ata vendas? 

Florim Cuculi shprehet se shëndetësia është një temë tepër e rëndësishme për popullatën në Kosovë. “Për fat të keq në këtë lëmi, nuk shoh një zhvillim të mirëfilltë dhe natyrisht që për këtë është përgjegjëse qeveria, si në çdo vend të botës. Sistemi shëndetësor në Kosovë kërkon një reformë rrënjësore. Duhet të bëhet një decentralizim i madh, duhet të kërkohen partneritete publiko-private dhe natyrisht për stafin mjekësor duhet të realizohen kushte të mira pune, dmth edhe rrogë të mirë. Njëkohësisht qeveria edhe mund të vendos kushtet për kualitet apo për angazhim. Më mirë pak mjekë që punojnë shumë dhe me kualitet”, tregon ai. 

Ndërkohë lidhur me atë se a do të ishte më mirë të gjenden forma të tjera bashkëpunimi mes mjekëve nga diaspora me ata vendas, Cuculi është shprehur se kjo është gjëja më e duhur dhe më profitabile. 

“Unë dhe Dr. Mentor Bilali e bëmë vitin e kaluar një “Summer school 1-ditore”. U mahnitëm nga interesi. Këtë vit, Mentori ka bërë një angazhim të madh për të organizuar një event 2-ditor dhe e përgëzoj për këtë. Ka mjeke dhe mjekë të rinj, studente dhe studentë tepër të interesuar që të marrin pjesë. Ka shpresë, rinia dëshiron të mësojë. Ku ka më mirë?! Të angazhohemi pra të gjithë dhe të mundësojmë transferin e eksperiencave tona te mjekët e rinj. Njëkohësisht evente të këtilla kanë edhe vlerë simbolike. Kthehet shpresa për të rinjtë tanë”.  

Të njëjtin mendim ka edhe mjeku Naim Mehmeti, sipas të cilit, shkëmbimi i eksperiencës në mes të mjekëve nga diaspora dhe Kosova, siç është duke bërë LMSHZ, përmes Swiss medical School në nëntor të këtij viti në Prishtinë, paraqet rrugën më adekuate për rrethanat momentale të bashkëpunimit. 

Nga ana tjetër, stomatalogu Gazmend Haliti nuk e sheh si paaftësi të Qeverisë për të adresuar zgjidhjen me seriozitet për mjekë. 

“Nuk është problemi te paaftësia. Sigurisht që qeveria do të provojë të nxjerrë maksimumin. Në këtë rast mendoj që kjo nuk do të ketë sukses në këtë formë. Mos të harrojmë që sistemi shëndetësor është kompleks dhe problemet janë në pjesën më të madhe të trashëguara nga qeveritë e mëhershme që për 20 vjet, kanë bërë shumë pak për këtë sektor”, shprehet ai. 

Iniciativën e Lidhjes së Mjekëve të Zvicrës, Haliti e vlerëson shumë dhe është për t’u përshëndetur, sipas tij.  

“Mendoj që ata po bëjnë gjënë e duhur. Transferi i dijes dhe vlerave te studentët absolventë dhe mjekët e rinj është intervenimi i duhur në nivelin e duhur për të nxitur dhe motivuar qëndrimin e tyre në Kosovë”.  

Ndërkohë, kirurgu Gazmend Morina tregon se një problem tjetër në Kosovë është mënyra e ndarjes së specializimeve që ai shpreson të rregullohet si në Zvicër. 

“Format e reja të bashkëpunimit janë gjithnjë të nevojshme dhe ndjej kënaqësi për organizimin e Kongresit në fjalë”, përfundon Morina.