Lajme

Kthehet moti i lig, bashkë me legjendën e “Plakave”

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se sot do të ketë mot me diell dhe vranësira të cilat do të shoqërohen me reshje shiu dhe bore. Ky mot i lig kthehet bashkë me legjendën e plakave

Evropa Juglindore është përfshirë nga temperaturat e ulëta me reshje shiu dhe në vendet malore me borë. Moti i lig, ka risjellë tek shqiptarët edhe legjendat e plakave të prillit, ose siç njihen në zonat malore “shkundja e plakave”.

“Shkurt o im vëlla, me jep tri ditë hua ta ngrij plakën me gjithçka? Kjo gojëdhëne mbi dymijë vjeçare kujtohet çdo muaj prill sipas kalendarit Alla Turke, pikërisht kur moti pëson ndryshime të dukshme”, kështu e përshkruan edhe albeu, motin e ftohtë.

Legjenda thotë një herë e një kohë disa plaka u ngjitën në mal dhe thirrën me të madhe: “Na e mori të keqen edhe dimri!”.

Ishte prill, por dimri vendosi të kthehej sërish. Muaji prill i kërkoi muajit Shkurt t’i jepte disa nga ditët e tija për t’i ngrirë plakat si për t’ju kujtuar që dimri nuk ka ikur dhe është më i fuqishëm se ato, dhe që është një fenomen natyror që duhet respektuar.

“Plakat vdiqën nga i ftohti dhe më pas erdhi pranvera sërish”.

Ndryshe, Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se sot do të ketë mot me diell dhe vranësira të cilat do të shoqërohen me reshje shiu dhe bore. Temperaturat nuk do të shkojnë më shumë se 9 gradë, ndërsa ato më të ulëtat pritet të arrijnë minus 3 gradë.