Tematike
Kryetarja e Cyrihut: “Nuk ka zviceranë dhe të huaj, ka vetëm qytetarë të Cyrihut”
Në fjalën e saj kryetarja e qytetit, Corine Mauch, ka shprehur brengosjen për ndikimin e rezultatit të 9 shkurtit në procesin e integrimit

Në ambientet e ndërtesës së bashkisë së qytetit të Cyrihut është mbajtur më 24 mars takimi informativ vjetor me përfaqësuesit e organizatave të të huajve. Takimi, që është zhvilluar nën patronatin e kryetares së qytetit të Cyrihut, Corine Mauch ka qenë një rast i mirë për rikapitulimin e gjithë asaj që Cyrihu ka bërë dhe vazhdon të bëjë për integrimin e të huajve.
Ndërsa fjala përshëndetëse e kryetares së qytetit, Corine Mauch, është karakterizuar edhe nga brenga se sa do ta ndikojë negativisht procesin e integrimit rezultati i referendumit kundër migrimit masiv që është realizuar më 9 shkurt
Duke iu drejtuar përfaqësuesve të shumtë të të huajve, ajo ka theksuar se krahas kënaqësisë që ka për të përshëndetur këtë pjesë të rëndësishme të bashkëqytetarëve të saj, ndjehet keq me fitoren, rreth një muaj më parë të referendumit të njohur tashmë.
“Rezultati i tij, mua dhe institucionin që drejtoj na ka dëshpëruar thellë. Sepse unë gjithmonë jam angazhuar për një Zvicër që i pret në mënyrë të hapur njerëzit që vijnë te ne, për të punuar, për t`iu bashkuar familjarëve apo pasi janë detyruar të ikin nga vendi i tyre; për një Zvicër që të ardhurve u dëshiron mirëseardhje. (…) Prandaj unë jam shumë e dëshpëruar me votimin me shumicë të ngushtë që i është bërë iniciativës kundër migrimit masiv. Për këtë arsye unë e them zëshëm: “Të huajt janë të mirëseardhur në Cyrih. Kjo është kështu tash dhe do te jetë edhe në të ardhmen. Këtë e dëshiroj dhe për këtë angazhohem me kolegët në këshillin e qytetit”.
Në vetë qytetin e Cyrihut, iniciativa është hedhur poshtë me dy të tretat e votave, ka përkujtuar kryebashkiakja e qytetit më të madh te Zvicrës, e cila pak muaj më parë është rizgjedhur në këtë post.
Duke falënderuar bashkëqytetarët e saj pa pasaportë zvicerane, për kontributin e tyre dhënë qytetit, Mauch u ka drejtuar atyre një mesazh: “Për mua në Cyrih nuk ka zviceranë në njërën anë dhe të huaj në anën tjetër. Për mua këtu ka vetëm qytetarë të Cyrihut”.
Më tutje ajo është shprehur se pas votimit të 9 shkurtit rruga e përbashkët do të bëhet më e vështirë. Por ka shtuar Mauch, kreu i qytetit do të angazhohet që gjatë jetësimit të iniciativës, të mbrohen interesat e qyteteve. Kjo, me qëllimin “që të mund të zhvillohet më tutje politika jonë aktive e integrimit të të huajve.
Ndërsa shefi i Zyrës për Integrim të të huajve në Cyrih, Christoph Meier, në fjalën e tij ka prezantuar rezultatet e deritashme dhe planet e qytetit për të ardhmen në fushë të integrimit.
Si synim të veçantë për vitin 2014 ai ka përmendur forcimin e bashkëpunimit me shoqatat e të huajve për realizimin e projekteve të integrimit dhe të pengimit të diskriminimit. Kredia për integrim që jep qyteti do ta mundësojë këtë, ka thënë Meier.
Ekzekutivi i Cyrihut do të bëjë përgatitjen e objektivave të politikës së integrimit të qytetit për periudhën 2014-2018. Qeveria po ashtu pritet që të vendosë për vazhdimin e punës së këshillit mbështetës të të huajve për periudhën 2015-2018. Edhe Meier ka përmendur ndikimin e rezultatit të 9 shkurtit duke thënë se “Pas 9 shkurtit është edhe më me rëndësi forcimi i integrimit në Cyrih”.
Gjatë vitit 2013 qyteti i Cyrihut ka publikuar raportin e dytë mbi racizmin, ndërsa në vjeshtën e këtij viti do të mbahet sërish një takim me organizatat e interesuara për këtë çështje, ka thënë Meier.
Pas pjesës me fjalime, mysafirët kanë mundur të vizitojnë “tavolinat tematike” të shpërndara në dy kate të ndërtesës, ku ofroheshin informacione në formë të broshurave dhe shpjegimeve gojore për tema nga më të ndryshmet që preokupojnë të huajt. Bëhet fjalë për ofertat e këshillimoreve për të drejtat e të huajve, për shërbimet për të huaj që ofrojnë organizatat humanitare si Caritasi, ose qendra për barazi gjinore e Cyrihut, Këshillimorja e grave Infodona, ajo për këshillimin e nënave dhe baballarëve, qendrat që ofrojnë kurse të gjermanishtes etj.
Të tjera nga Tematike
E-Diaspora
-
Ekspozita “Gjergji në Art”, nderim artistik për 620-vjetorin e lindjes së Skënderbeut Ngjarja do të prezantojë një përzgjedhje të pasur veprash nga artistë shqiptarë të frymëzuara nga...
-
Rrënjët që nuk thahen: Familja Limoni, muze i shpirtit shqiptar
-
Presidentja e Kosovës ftohet nga Presidentja e Zvicrës për vizitë shtetërore në Zvicër
-
Liridoni sjell në Zvicër shijen e bukës dhe ëmbëlsirave shqiptare
-
Lorena Kengji: Arti si një mënyrë për të qëndruar e lidhur me veten
Jeta në Austri
-
Pesë mënyra se si mund të kurseni para kur blini ushqim në Austri Nga pazaret e tregut te programet e besnikërisë së supermarketeve, ka shumë mënyra për t’i bërë...
-
Vjena sheh rritje 30% të rasteve të mbidozës së drogës tek adoleshentët
-
Gjërat që nuk mund t’i mbani në makinën tuaj në Austri
-
Austriakët arritën rekord prej 27.5 milionë udhëtime pushimesh
-
Domethënia e zgjedhjeve të Vjenës për të huajt, sezoni i alergjive dhe ngjarjet kryesore të javës në Austri