Lajme

Kryeparlamentarja zvicerane për vizitë në Kosovë

Kryekuvendari i Kosovës, Jakup Krasniqi shprehu kënaqësinë për këtë vizitë të kryekuvendares Maya Graf, duke përmendur edhe vizitën e tij që ka bërë në Zvicër

Kryetarja e parlamentit të Zvicrës, Maya Graf, në Kosovë pritet që gjatë muajit prill të vizitoj Kosovën. Lajmi u bë i ditur të hënën në Prishtinë gjatë një takimi ndërmjet kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi dhe ambasadores së Zvicrës në Kosovë, Krystyna Marty Lang.  

“Kryekuvendarja zvicerane, pos takimeve me zyrtarë institucionesh, në kuadër të kësaj vizite, do të ketë rastin të shohë edhe disa projekte që po sendërtohen aktualisht në Kosovë nga ana e Zvicrës”, tha Lang.

Kryekuvendari i Kosovës, Jakup Krasniqi shprehu kënaqësinë për këtë vizitë të kryekuvendares Maya Graf, duke përmendur edhe vizitën e tij që ka bërë në Zvicër.

“Vizita e kryekuvendares zvicerane është e mirëseardhur për të gjithë ne dhe na vjen mirë që në atë delegacion do të jenë edhe parlamentarë nga të gjitha partitë. Vizita do të jetë edhe një rast i konfirmimit të miqësisë gjithnjë në rritje ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës, e në këtë frymë edhe të njohjes me të gjitha zhvillimet në Kosovë, si dhe me kontributin e Zvicrës që jep në zhvillimin e vendit tonë “, theksoi kryetari i Parlamentit të Kosovës, Krasniqi.