Lajme

Kryediplomati i Zvicrës kundërshton referendumin e detyrueshëm për marrëveshjet me BE-në

Ministri i Jashtëm i Zvicrës, Ignazio Cassis, mbrojti vendimin e qeverisë për ta bërë referendumin për marrëveshjet me Bashkimin Evropian opsional dhe jo të detyrueshëm.

Cassis pranoi se një shumicë e dyfishtë – e popullit dhe e kantoneve – do të ishte një “vendim më i sigurt”. Megjithatë, ai paralajmëroi për një efekt domino: “Nëse e marrin këtë vendim me lehtësi, atëherë do të ketë edhe çështje të tjera që prekin emocionet e njerëzve,” deklaroi ai për televizionin publik zviceran SRF të shtunën, transmeton albinfo.ch.

Sipas Cassis, një precedent i tillë mund të nxisë kërkesa për shumicë të dyfishtë edhe për marrëveshje të tregtisë së lirë me Kinën apo vendet e Amerikës Latine. “Nëse balancimi politik bëhet kaq i thjeshtë, kushdo mund të vijë e të kërkojë çfarë të dojë.” Ai theksoi se qeveria federale është garantuesja e parë për zbatimin korrekt të kushtetutës.

Cassis gjithashtu hodhi poshtë akuzat se partia e tij, Partia Radikale Liberale, ishte e përçarë në këtë çështje. “Ajo që disa e quajnë përçarje, unë e quaj diversitet mendimesh. Kjo është thelbi i demokracisë,” u përgjigj ai ndaj raporteve që presidentja e Zvicrës, Karin Keller-Sutter, mbështeste një referendum të detyrueshëm.