Lajme
Kroacia mund të sanksionohet nga BE
Kroacia nuk pranon të ndryshojë ligjin e ekstradimit në përputhje me legjislacionin e BE-së.
Bashkimi Evropian ka paralajmëruar Kroacinë për shkak të zvarritjeve në përmbushjen e detyrimeve të Unionit për ligjin e ekstradimit.
“Është e qartë që do të ketë sanksione”, tha komisionerja e BE-së, Viviane Reding, transmeton DW .
“Komisioni i BE-së ka të drejtën të vendosë sanksione… Ne do të konsultohemi me vendet anëtare dhe pastaj do t’i aplikojmë ato”, tha Reding.
Komisionerja tha se hyrja e Kroacisë në Shengen do të jetë e kërcënuar nëse Zagrebi nuk kthen mbrapsht ndryshimet kontroverse në ligjin e tij për ekstradimet, të bëra vetëm pak ditë para hyrjes në BE në 1 korrik.
Ndryshimet pengojnë ekstradimin e të dyshuarve për krime të kryera para vitit 2002, gjë që mund të mbulojë edhe krimet e luftës gjatë luftrave të Ballkanit 1991-1995.
Fillimisht Kroacia nuk përfilli një afat të vendosur nga Brukseli për ta bërë legjislacionin e saj konform ligjeve të BE-së dhe pas kësaj BE kërcënoi me sanksione.
Në fund të gushtit u duk sikur Zagrebi po lëshonte pe kur premtoi se do të ndryshonte legjislacionin për të zgjidhur problemin por Reding tha se premtimi nuk është përmbushur ende.
Ndërkohë kryeministri kroat Zoran Milanovic ka deklaruar se vendi i tij do të përmbushë obligimet që burojnë nga anëtarësia në BE, por nuk do të heqë dorë nga planet për hyrjen në fuqi të ligjit të amandamentuar vetëm në 15 korrik 2014.
“Ne nuk po bëjmë asgjë amorale apo të gabuar”, tha kryeministri kroat duke shtuar se Kroacia “kërkon vetëm që të gjithë anëtarët e BE-së të trajtohen njësoj”.
Më parë Kroacia ishte ankuar se Austria, Republika Çeke, Franca, Luksemburgu dhe Sllovenia kanë ndryshuar ligjin evropian për arrestin, i cili rregullon ekstradimin mes vendeve anëtare.
Por, Komisioni tërhoqi vëmendjen se Kroacia duhej ta kishte njoftuar Brukselin më parë gjatë negociatave për anëtarësimin.
Polemika për ligjin e ekstradimit ka pezmatuar veçanërisht marrëdhëniet e Kroacisë me Gjermaninë.
Pas amendimit me nxitim të ligjit të ekstradimit, Zagrebi refuzoi një kërkesë gjermane për ekstradimin e ish-spiunit Josip Perkovic, të kërkuar në lidhje me një vrasje në kohën e komunizmit.
Perkovic ka drejtuar shërbimit sekret ushtarak të Kroacisë pas pavarësisë së vendit nga ish-Jugosllavia në 1991.
Në Bruksel duket se nuk ka më dyshime që ndaj Kroacisë do të vendosen sanksione.
Edhe vetë afati për hyrjen në fuqi të ligjit të amenduar, 15 korrik 2014, është për BE-në një fyerje, shkruan gazeta austriake “Die Presse”.
Sanksione të mundshme mund të jenë anulimi i subvencioneve të BE-së apo shtyrja e pagesave të premtuara, vazhdon më tej “Die Presse”.
Sipas gazetës nga konflikti i qeverisë kroate me Brukselin përfiton në radhë të parë partia konservatore HDZ në opozitë.
Është “turp” që dy muaj pas anëtarësimit në BE vendi kërcënohet nga sanksione të Unionit, u shpreh evroparlamentari kroat nga HDZ, Andrej Plenkovic.
Askush në Evropë nuk arrin të kuptojë përse duhet penguar një proces për zbardhjen e likuidimit të njerëzve.
Komisioni i BE-së pritet të marrë vendim për sanksionet ndaj Kroacisë.
E-Diaspora
-
Presidentja Osmani i ndan mirënjohje gazetarit veteran, Rexhep Rifati Z. Rifati njihet në mënyrë të veçantë edhe për lidhjet e tij të ngushta me arbëreshët,... -
Winterthur
“Ne dhe Ata” sonte në Winterthur, komedia që prek realitetin e mërgatës -
Ramë Lahaj: Mërgata jonë është pasqyra më e mirë e identitetit tonë -
Bern: Event mbi integrimin përmes punës dhe ndërmarrësisë -
Austri
Në Parlamentin e Austrisë, të premten mbahet konferenca „Kosova në BE“
Jeta në Austri
-
Afër Pashkëve, 8,300 lepuj ngordhin në trafikun rrugor në Austrinë e Poshtme Rreth Pashkëve, sezoni i çiftëzimit të lepujve arrin kulmin. Në këtë fazë veçanërisht aktive, trafiku rrugor... -
Edhe Austria ndalon Rrjetet Sociale për fëmijët nën 14 vjeç -
Austri
Në Parlamentin e Austrisë, të premten mbahet konferenca „Kosova në BE“ -
Tragjedia e Vjenës: I lënduari është Nazmi Muharremi – flet vëllai që ia shpëtoi jetën -
Në Vjenë ndizen qirinj për viktimat e aksidentit tragjik












