Lajme

Kroacia kthen shërbimin e detyrueshëm ushtarak

Parlamenti kroat sot me shumicë votash ka miratuar ndryshimet në ligjet për mbrojtjen dhe shërbimin në forcat e armatosura, me çka mundësoi rivendosjen e shërbimit të detyrueshëm ushtarak nga fillimi i vitit të ardhshëm.

84 deputetë votuan për ndryshimet ligjore, 30 abstenuan, ndërsa 11 ishin kundër. Nga partitë parlamentare, vetëm partia jeshile–majtas “Možemo” u shpreh qartë kundër rikthimit të shërbimit të detyrueshëm ushtarak, shkruan INA, transmeton albinfo.ch.

Shërbimi i detyrueshëm ushtarak në Kroaci ishte hequr në vitin 2008, dhe që nga ajo kohë shërbimi ushtarak kryhej vetëm në mënyrë vullnetare, por kishte interes të vogël teksa sipas ndryshimeve ligjore, shërbimi i detyrueshëm ushtarak do të zgjasë dy muaj. Ata që do të shërbejnë do të marrin nga shteti një pagë neto mujore prej 1.100 eurosh, dhe kjo periudhë do t’u llogaritet si stazh pune.

Stërvitja ushtarake do të jetë e detyrueshme për meshkujt e rinj gjatë vitit kalendarik kur mbushin 19 vjeç dhe trajnimi i tyre është planifikuar të zhvillohet në kazermat e Kninit, Sllunjit dhe Pozhhegës.

Personat mbi 19 vjeç, deri në 30 vjeç, mund të dërgohen gjithashtu në trajnim ushtarak, pasi shërbimi mund të shtyhet në rast studimesh ose për sportistët që marrin pjesë në kampionate botërore dhe evropiane.