Jeta në Zvicër

Kritika dhe lëvdata për Zvicrën nga eurodeputetët

Eurodeputeti i partisë italiane Lega Nord Mario Borghezio doli me një flamur të Zvicrës duke brohoritur “Liri për popujt” dhe “Mjaft më me diktaturën evropiane”

Një skandal i vogël ka shpërthyer sot në Strasburg, gjatë debatit në Parlamentin Evropian lidhur me marrëdhëniet në mes të BE-së dhe Zvicrës. Në kohën kur po diskutonte komisari i BE-së për çështje sociale, Laslo Andor, doli në skenë eurodeputeti i djathtë i partisë italiane Lega Nord Mario Borghezio me një flamur të Zvicrës. Veç kësaj ai brohoriti “Liri për popujt” dhe “Mjaft më me diktaturën evropiane”, pastaj ai u përjashtua nga salla.

Shumica e deputetëve, ndërkaq e kanë kritikuar rezultatin e votimit të fundit në Zvicër, për kufizimin e migracionit, duke kërkuar nga Berna negociim të kësaj. “Kuotat për të huajt Zvicra janë të papranueshme, ka thënë zëvendëskryetari i PE-së, Dimitrios Kourkoulas.  

Ndërsa Andor ka kërkuar po ashtu nga Zvicra që të nënshkruajë marrëveshjen për lëvizjen e lirë edhe me anëtarin më të ri të BE-së, Kroacinë. “Kjo nuk mund të ndahet nga marrëveshjet me shtetet tjera. Një paket është një paket. Nuk mund të vallëzosh në të njëjtën kohë në dy dasma”. Ngrirja nga ana e BE-së e pjesëmarrjes së Zvicrës në programin e shkëmbimit të studentëve “Erasmus” “nuk është dënim por rezultat logjik”. Sidoqoftë, aktualisht Zvicra është përjashtuar nga ky program.

Me kritika ndaj qëndrimit të Zvicrës janë paraqitur  edhe përfaqësues të partive popullore si Mairead McGuinness, e cila ka tërhequr vërejtjen se pas votimit të fundit të zviceranëve, disa kompani ndërkombëtare po shqyrtojnë tërheqjen e selive të tyre nga Zvicra. Ndërsa udhëheqësi i socialdemokratëve në PE, Hannes Swoboda ka thënë se “Zvicra i dëshiron paratë tona, edhe ato të bishtnuesve të tatimeve, por nuk i do punëtorët tanë”.

Edhe eurodeputeti i gjelbër Daniel Cohn-Bendit ka thënë fjalë të ashpra ndaj Zvicrës, duke e akuzuar për mosnjohje të BE-së. (albinfo.ch/sda)