Lajme

Krerët e shtetit në OKB, për lobim

Ministria e Jashtme po përgatit agjendën e takimeve që do të kenë Presidentja, Kryeministri, Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Jashtëm

 

Atifete Jahjaga, Hashim Thaçi, Behgjet Pacolli dhe Enver Hoxhaj do të marrin pjesë në Javën Presidenciale dhe Ministrore që organizohet çdo vit në New York, në gjysmën e dytë të shtatorit, në margjina të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

 

Java Presidenciale dhe Ministrore është ngjarja më e madhe diplomatike në botë. Krerët shtetërorë dhe shefa te diplomacive nga të gjitha vendet anëtare të OKB-së do të qëndrojnë në New York, jo vetëm për punimet e Asamblesë së Përgjithshme, por edhe për takime bilaterale.

Bashkë me udhëheqësit e Kosovës, në OKB do të jetë edhe ambasadori i Kosovës në Washington, Avni Spahiu.

Zëdhënësi i MPJ-së, Artan Behrami ka konfirmuar pjesëmarrjen e udhëheqësve të institucioneve të Kosovës në OKB. Ai ka thënë se Ministria është duke e përgatitur agjendën e takimeve që do të kenë Presidentja, Kryeministri, Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Jashtëm, shkruan Express.

“Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës është duke punuar intensivisht në përmbylljen e takimeve që do të organizohen me rastin e mbajtjes së seancës së Kombeve të Bashkuara në mes të shtatorit. Gjatë këtyre ditëve, kur pritet të marrin pjesë të gjithë liderët botërorë, në Neë York do të qëndrojnë personalitetit më të rëndësishme të politikës së jashtme të Kosovës. Kjo mundësi do të shfrytëzohet për të zhvilluar takime me shumë përfaqësues të shteteve që ende nuk e kanë pranuar pavarësinë e Republikës së Kosovës, në synimin tonë për përmbylljen e suksesshme të procesit të njohjeve”, ka theksuar zëdhënësi i MPJ-së, Artan Behrami.

Sipas tij në New York do të organizohen takime për të kërkuar njohje të reja. Kurse zëdhënësin e Presidencës, Arbër Vllahiu, ka thënë se është ende herët të deklarohet për vizitën e Jahjagës në OKB, me rastin e Javës Presidenciale.