Lajme

Krenarë, të pavarur dhe të lirë?

Pesë vite pas shpalljes me entuziazëm të pavarësisë së Kosovës, gjithandej ka bërë vend zhgënjimi. Për reforma të qëndrueshme nevojitet një lidhje e përforcuar me popullatën civile

“Prej sot e tutje Kosova është krenare, e pavarur dhe e lirë”, deklaronte kryeministri Hashim Thaçi më 17 shkurt 2008, pasi që Parlamenti Kosovar, 9 vite pas luftës së Kosovës, kishte shpallur pavarësinë. Dhjetëra mijë njerëz ishin mbledhur në Prishtinë duke valëvitur flamujt nëpër rrugët e qytetit dhe po ashtu edhe në Zvicër mblidheshin kosovarët në manifestime spontane të gëzimit.

Pritje të mëdha

Reaksioni nga Serbia erdhi me të shpejtë. Beogradi nuk do ta njohë kurrë pavarësinë e Kosovës. Edhe Rusia e gjykonte shpalljen e pavarësisë si akt në kundërshtim me të drejtën. Nga ana tjetër, reaksionet pozitive mbështeteshin më së shpeshti mbi shpresat e mëdha për shtetin e ri demokratik dhe multietnik.

Kështu ministrja e jashtme e atëhershme e Zvicrës, Micheline Calmy Rey pati folur për detyrimin që kanë qytetarët e shtetit të ri për të kapur shansin dhe që nga atdheu i tyre të bëjnë një shembull për Evropën dhe botën.

Por, shpresat më të mëdha i kishin vetë shqiptarët e Kosovës. Prej vitesh ata e kishin ëndërruar këtë moment. Ata ishin të bindur se kjo shpallje ishte dhënie e shenjës se këtu e tutje fillonte një e ardhme më e mirë. Një e ardhme që mundësisht sa më shpejt do të ndodhte brenda BE-së.

Si synimin më të rëndësishëm politik, Qeveria në Prishtinë e definonte edhe anëtarësimin e plotë në BE ndërsa vetë BE-ja nga ana e saj dërgonte në kuadër të  misionit të EULEX-it, rreth 2000 policë, gjyqtarë dhe doganierë që duhej të ndihmon shtetin e ri në ngritjen e autoriteteve të tij në këto fusha.

Pas euforisë vjen dëshpërimi

Plot pesë vjet pas shpalljes së pavarësisë euforia është shuar dhe shumëkund ka zënë vend dëshpërimi. Më shumë se dy të tretat e popullit vazhdon të jetojë nën kufirin e varfërisë. Shkalla e papunësisë mbërrin në 45 për qind. Afërisht gjysma e shteteve të OKB-së nuk e kanë njohur akoma sovranitetin e Republikës së Kosovës, në mesin e tyre edhe shtete anëtare të BE-së si Spanja dhe Greqia. Kosova mbetet dukshëm mbrapa shteteve fqinje si Serbia ose Maqedonia, në hapat e integrimit në BE – shtetasit e Kosovës, ndryshe nga të gjithë të tjerët në Ballkanin Perëndimor, duhet të kërkojnë vizën nëse duan të udhëtojnë  në zonën e Shengenit.

As marrëveshja e arritur më 19 prill të këtij viti në mes të Serbisë dhe Kosovës nuk ka ngjallur entuziazëm në Kosovë. Ka ndodhur e kundërta: Popullsia shqiptare i sheh me skepticizëm koncesionet në formë të autonomisë që i janë bërë pakicës serbe në veri të Kosovës, edhe përkundër faktit se Serbia me këtë akt miraton integrimin e veriut të kontestuar të Kosovës me shtetin e Kosovës.

Varësia nga ndihma e jashtme

Stabiliteti ekonomik i Kosovës është në masë të madhe i varur nga donatorët ndërkombëtarë dhe dërgesat e parave nga emigrantët e  diasporës (nga remitendat). Sipas vlerësimeve të CIA-s, me 10 respektivisht 14 për qind, ata e realizojnë afërsisht një të katërtën e brutoproduktit nacional te Kosovës.

Remitencat, në të cilat diaspora prej rreth 180 mijë vetave në Zvicër ka kontributin e saj të nderit, investohen kryesisht në konsum dhe rrallë në ngritjen e ndërmarrjeve lokale. Sondazhet e bëra me kosovarët në Zvicër kanë treguar se klima e keqe për investime i ka frikësuar shumë pjesëtarë të diasporës. Si pengesën më të madhe ata kanë përmendur burokracinë dhe taksat shumë të larta. Programe të shumta për promovimin e ekonomisë, të financuara nga donatorë ndërkombëtarë, ende nuk kanë mundur të sjellin në vend investime direkte në stil të gjerë, që pjesërisht shpjegohet me krizën  globale financiare nga viti 2007 dhe eurokrizën nga viti 2009.

Arsimimi i mangët, sigurimi shëndetësor dhe participimi

Pengesë tjetër për zhvillimin ekonomik të Kosovës paraqet mungesa e fuqisë ekonomike të kualifikuar. Tingëllon absurde, por ndodh shpesh që, përkundër shkallës së lartë të papunësisë, ndërmarrësit të mos mund të gjejnë punëtorët që u nevojiten.

Sistemi arsimor nën represionin e regjimit të MIlosheviçit në vitet 90 ishte dobësuar shumë dhe edhe sot në shumë shkolla mësimi zhvillohet në tri ndërrime. Edhe pse ka përpjekje të qeverisë për reformimin e arsimit dhe në veçanti atij profesional, për përparime të ndjeshme në këtë drejtim duhet të pritet akoma.

Edhe në sistemin e shëndetësisë qeveria po përpiqet për reformat urgjentisht të nevojshme. Ndonëse përkujdesja themelore shëndetësore është falas, në rastet konkrete të sëmurjes nuk ka pothuaj asgjë pa pagesë. Pacientët duhet shpesh t`i blejnë vetë medikamentet dhe materialet tjera mjekësore në mënyrë që të bëhet trajtimi mjekësor. Gjendja e mjerueshme e shëndetësisë qëndron në pjesën e epërme të barometrit të vështirësive që ka popullata. Dhe, megjithëkëtë, qytetarët nuk informohen kur qeveria ndërmerr diçka për t`iu qasur problemit. Për futjen e sigurimit shëndetësor, që qe planifikuar për fillimin e vitit 2013 – që ndërkohë është shtyrë – nuk dinte praktikisht askush. Ndërkohë që Banka Botërore dhe donatorë tjerë ndërkombëtarë kontribuojnë në mënyrë të konsiderueshme në reformën shëndetësore, shoqëria civile mbetet jashtë, ashtu si dhe në shumë përpjekje tjera për ndërtimin e shtetit të ri.

Që qytetarët e Kosovës ta bëjnë atdheun e tyre model për Evropë dhe botën, ata duhet të dinë saktësisht për planet e qeverisë dhe donatorëve ndërkombëtarë. Vetëm kështu ata mund të kontribuojnë në ndërtimin e reformave të qëndrueshme. Me projekte konkrete, Solidar Suisse mbështet angazhimin e shoqërisë civile të Kosovës.

Përkthyer nga revista “Solidarität” e Organizatës “Solidar Suisse” e cila në numrin e saj të tretë për këtë vit i ka kushtuar Kosovës një numër artikujsh