Shumë gjëra janë bërë më të shtrenjta, por fluturimet jo – të paktën për momentin. Sipas indeksit të çmimeve të kohës së lirë nga Comparis, çmimet e biletave ajrore në mars 2025 ranë ndjeshëm krahasuar me marsin e vitit të kaluar. Megjithatë, çmimet mbeten ende dukshëm më të larta se para pandemisë.
Fluturimet u bënë më të lira në mars 2025 krahasuar me të njëjtin muaj të vitit 2024. Por kjo nuk përbën një trend afatgjatë, paralajmëron Comparis. Me afrimin e verës dhe rritjen e kërkesës, pritet që çmimet të rriten sërish.
Ndërkohë, shërbimet e transmetimit të serive dhe filmave janë bërë dukshëm më të shtrenjta. Indeksi i çmimeve tregon një rritje prej 0.8 % në mars 2025 për aktivitetet dhe produktet e kohës së lirë krahasuar me marsin e 2024-ës. Vetëm çmimet e shërbimeve të streaming janë rritur me 6.1 %, më shumë se çdo produkt tjetër në krahasim vjetor.
Gjithashtu janë rritur edhe çmimet për akomodimet shtesë, si kampingjet dhe shtëpitë me qira, me një inflacion prej 4.4 %. Vendin e tretë për rritjen më të madhe të çmimeve e zënë abonimet për gazeta dhe revista, transmeton albinfo.ch.
Por jo gjithçka është bërë më e shtrenjtë. Sipas ekspertit të mobilitetit të Comparis, Adi Kolecic, “linjat ajrore me kosto të ulët, si EasyJet, kanë rritur praninë e tyre në Aeroportin e Cyrihut, duke intensifikuar konkurrencën me kompanitë tradicionale. Kjo ka sjellë një ulje të ndjeshme të çmimeve.” Përveç kësaj, oferta e fluturimeve është rritur ndjeshëm që nga viti i kaluar, transmeton albinfo.ch.
Megjithatë, kjo tendencë nuk pritet të zgjasë. Kolecic parashikon që në muajt e verës çmimet do të rriten për shkak të kërkesës së lartë.
Edhe pse çmimet ranë krahasuar me vitin e kaluar, krahasuar me marsin e vitit 2019 – para pandemisë – fluturimet janë ende 24 % më të shtrenjta.