Kosova
KQZ-ja pret afatet ligjore për certifikimin e Listës Serbe

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po pret që të përfundojnë procedurat ligjore, në mënyrë që të vendosë më pas për futjen në rend dite të çështjes së certifikimit të Listës Serbe për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.
Më 25 dhjetor Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) anuloi vendimin e KQZ-së për moscertifikimin e Listës Serbe dhe e urdhëroi atë që ta certifikojë këtë parti.
“Në vendimin e PZAP-it ka këshillë juridike, sipas së cilës lejohet ankesa kundër tij në Gjykatën Supreme, brenda 48 orëve nga momenti i marrjes së vendimit. Andaj, KQZ, para caktimit të kësaj çështje për në rend dite, do të presë përfundimin e procedurave ligjore”, tha për Radion Evropa e Lirë zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
Më 23 dhjetor, përfaqësuesit e partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, votuan kundër certifikimit të Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit.
Ndërkaq, përfaqësuesit e partive të tjera abstenuan.
Lista Serbe, që e cilësoi këtë veprim të kundërligjshëm, e mirëpriti vendimin e PZAP-it dhe tha se vendimi i 23 dhjetorit ishte përpjekje “për eliminimin e Listës Serbe” nga procesi zgjedhor.
Në vendimin e tij, PZAP-i tha se Zyra për regjistrim, certifikim dhe kontroll financiar të subjekteve politike kishte rekomanduar që Lista Serbe të certifikohej, pasi kishte dorëzuar dokumentacionin në përputhje me Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme dhe me rregullat e tjera të KQZ-së.
Pra, sipas PZAP-it, Lista Serbe ka plotësuar kriteret, pasi ka dorëzuar “deklaratën politike”, listën e kandidatëve dhe aplikimin për secilin kandidatë dhe për këtë parti Zyra për regjistrim dhe certifikim ka marrë informacionet nga institucionet përgjegjëse për verifikimin e partive, ashtu siç kërkohet me Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme.
Paneli i gjyqtarëve, i përbërë nga gjyqtarët Arsim Hamzaj, kryesues, Kujtim Pasuli, Hidajete Gashi-Alaj dhe Bujar Muzaqi tha se sipas Ligjit për zgjedhje, “KQZ-ja e certifikon subjektin politik me të drejtë pjesëmarrjeje nëse i njëjti e dorëzon aplikimin e dorëzuar në formën e përshkruar dhe në datën e vendosur nga rregullat e KQZ-së”.
Njohësit e zhvillimeve politike më herët gjatë javës i thanë Radios Evropa e Lirë se moscertifikimi i Listës Serbe nga KQZ-ja ishte pjesë e fushatës parazgjedhore. Ata paralajmëruan se Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa do të marrë vendim në favor të Listës Serbe dhe do të obligojë KQZ-në që ta certifikojë këtë parti.
Lista Serbe ka njoftuar se do të marrë pjesë në zgjedhjet e 9 shkurtit pas një periudhe të bojkotimit të proceseve politike në Kosovë.
Më 2022, pjesëtarë të kësaj partie patën dhënë dorëheqje në mënyrë kolektive nga institucionet e Kosovës, si shenjë kundërshtimi ndaj vendimeve të autoriteteve të Kosovës për shtrirje të autoritetit në gjithë territorin e vendit.
Ish-nënkryetari i kësaj partie, Millan Radoiçiq, ka marrë përgjegjësinë për sulmin e 24 shtatorit të vitit të kaluar në Banjskë të Zveçanit, kur një grup i serbëve të armatosur vranë një rreshter të Policisë së Kosovës.
Autoritetet e Kosovës e konsiderojnë këtë sulm si terrorist dhe e fajësojnë shtetin serb për organizim dhe kryerjen e tij, por Beogradi hedh poshtë këto akuza.
Anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ e kanë argumentuar moscertifikimin e Listës Serbe me atë se kjo parti, sipas tyre, asnjëherë nuk e ka dënuar sulmin në Banjskë dhe nuk është distancuar nga “aktet terroriste që kanë ndodhur në Kosovë”.
Kosova kërkon ekstradimin e Radoiçiqit në Kosovë, ndërsa ai besohet se është i lirë në Serbi.
E-Diaspora
-
Ekspozita “Gjergji në Art”, nderim artistik për 620-vjetorin e lindjes së Skënderbeut Ngjarja do të prezantojë një përzgjedhje të pasur veprash nga artistë shqiptarë të frymëzuara nga...
-
Rrënjët që nuk thahen: Familja Limoni, muze i shpirtit shqiptar
-
Presidentja e Kosovës ftohet nga Presidentja e Zvicrës për vizitë shtetërore në Zvicër
-
Liridoni sjell në Zvicër shijen e bukës dhe ëmbëlsirave shqiptare
-
Lorena Kengji: Arti si një mënyrë për të qëndruar e lidhur me veten
Jeta në Austri
-
Pesë mënyra se si mund të kurseni para kur blini ushqim në Austri Nga pazaret e tregut te programet e besnikërisë së supermarketeve, ka shumë mënyra për t’i bërë...
-
Vjena sheh rritje 30% të rasteve të mbidozës së drogës tek adoleshentët
-
Gjërat që nuk mund t’i mbani në makinën tuaj në Austri
-
Austriakët arritën rekord prej 27.5 milionë udhëtime pushimesh
-
Domethënia e zgjedhjeve të Vjenës për të huajt, sezoni i alergjive dhe ngjarjet kryesore të javës në Austri